Drejtori i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, Bledar Shella është rizgjedhur Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB). Kjo e fundit njofton se në datën 20 maj 2025 u zhvillua mbledhja e Asamblesë së AAB për miratimin e pasqyrave financiare të audituara të vitit 2024 dhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës.
Anëtarët e zgjedhur të Bordit Mbikëqyrës të AAB-së janë:
• Z. Bledar Shella – Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania;
• Z. Seyhan Pencabligil – Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT);
• Z. Maltin Korkuti – Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank;
• Z. Alessandro D’Oria – Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania;
• Z. Dritan Mustafa – Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Bank.
Z. Bledar Shella u rizgjodh Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të AAB-së. Në funksionin e Kryetarit, z. Shella do të vazhdojë të përfaqësojë zërin e anëtarëve në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve të industrisë bankare për anëtarësim të vendit në BE, për zhvillimin e sistemit digjital të pagesave dhe mbrojtjen dhe përmirësimin e reputacionit të industrisë bankare nëpërmjet promovimit të vlerave më të mira të industrisë në interes të ekonomisë, shoqërisë dhe ambientit, njofton AAB.
Shella është një menaxher dhe bankier i spikatur, ku pas një eksperience tetëvjeçare në Bankën e Shqipërisë, iu bashkua Bankës Societe Generale Albania në vitin 2008, ku dhjetë vite më vonë u emërua Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës.
Ai e mori drejtimin e bankës në atë rast deri në mbylljen e procedurave të kalimit të pronësisë nga Societe Generale te grupi OTP Nyrt. Por për shkak të udhëheqjes së suksesshme jo vetëm të procedurave të kalimit të pronësisë, por më tej edhe atyre të blerjes së Alpha Bank, z. Shella fitoi besimin për të vijuar drejtimin e OTP Bank Shqipëri edhe për vitet në vazhdim.
Me 6 vitet e drejtimit të z.Shella, OTP ka konsoliduar pozitat në tregun bankar, duke u renditur si banka e tretë më e madhe kredituese në vend. CEO I OTP është vlerësuar me një sërë çmimesh vendase dhe ndërkombëtare, ku ndër më të fundit është çmimi András Fáy, i cili vjen në vazhdën e gjithë këtyre rezultateve të mira dhe transformimit të bankës nga ana e CEO-s, Bledar Shella. Edhe banka ka fituar një sërë çmimesh e vlerësimesh nën drejtimin e tij.
Shella është në krye të Shoqatës së bankave që nga viti 2021, duke luajtur një rol proaktiv dhe përfaqësues për sektorin. Në zgjedhjet e asamblesë, CEO i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Seyhan Pencabligil u rizgjodh Zëvendës Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të AAB. /ekofin.al
