Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është vlerësuar me certifikimin prestigjioz “Vendi më i Mirë për të Punuar në Shqipëri” (“Best Place to Work – Albania 2025”).
Ky vlerësim nuk është thjesht një çmim simbolik, por një certifikim ndërkombëtar, që rrjedh nga një proces rigoroz dhe objektiv, i cili analizon performancën e kompanisë në fusha kyçe si: Politikat e Burimeve Njerëzore, Lidershipi, paketa e benefiteve, kultura organizative, angazhimi i stafit dhe përgjegjësia sociale e korporatës.
“Njerëzit janë në qendër të çdo gjëje që bëjmë” — kjo është filozofia që BKT ka ndjekur ndër vite. Ky certifikim dëshmon se përkushtimi i bankës ndaj mirëqenies, zhvillimit dhe balancës jetë-punë të stafit është një vlerë thelbësore, jo vetëm një politikë e thjeshtë HR.
Deklarata nga Departamenti i Burimeve Njerëzore
Drejtoresha e Departamentit të Burimeve Njerëzore në BKT, znj. Edlira Memushaj, i tha ekofin.al se ky certifikim është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të bankës për të ndërtuar një vend pune gjithnjë e më të mirë.
“Suksesi ynë mbështetet tek një kulturë e fortë korporative dhe një ekip i dedikuar që synon përsosmërinë. Në BKT, ne investojmë tek njerëzit, promovojmë rritjen e tyre profesionale, si dhe krijojmë një mjedis bashkëpunues dhe novator, ku vlerësohen idetë dhe kontributi i secilit.”
Teknologji dhe Novacion në Shërbim të Punonjësve dhe Klientëve
Përveç përkushtimit ndaj zhvillimit të burimeve njerëzore, BKT është gjithashtu një ndër kompanitë lider në përdorimin e teknologjisë më të avancuar dhe novacionit në sektorin bankar në Shqipëri. Transformimi dixhital dhe investimi në platformat më moderne sipas standardeve ndërkombëtare janë kthyer në një prioritet strategjik për të përmirësuar përvojën e klientit dhe për të lehtësuar punën e stafit.
Fokus i vazhdueshëm në mirëqenie dhe paketë benefitesh konkurruese
BKT zbaton politika të qarta dhe të strukturuara për mirëqenien fizike, mendore dhe sociale të punonjësve, duke ofruar një nga paketat më konkurruese të benefiteve në treg. Kjo paketë përfshin: Paga konkurruese, bonuse për performancën, pagë për pushime, sigurim privat shëndetësor për punonjësit dhe familjarët e tyre, kredi me interesa shumë të ulëta, pagesë për ushqimin, çerdhe për fëmijët e punonjësve, palestër dhe aktivitete mirëqënieje si klasa yoga, ekipe sportive si edhe shumë përfitime të tjera që rrisin cilësinë e jetës në punë dhe jashtë saj.
Këto elementë e bëjnë BKT një punëdhënës bashkëkohor dhe të përkushtuar ndaj ekuilibrit jetë-punë.
Një kulturë që ndërtohet mbi besimin dhe zhvillimin
Me një staf prej 1,079 punonjësish, ku mosha mesatare është 34 vjeç dhe qëndrueshmëria e stafit është 89% ndërkohë që për pozicionet drejtuese arrin në 96%, BKT është një shembull pozitiv jo vetëm në sektorin bankar, por edhe në tregun më të gjerë të punës në Shqipëri dhe rajon.
Rekrutimi i talenteve të duhura
Rekrutimi i talenteve të duhura është një ndër prioritetet kryesore të BKT. Banka i kushton vëmendje të veçantë një procesi përzgjedhjeje të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës, që siguron që çdo kandidat të jetë i përshtatshëm jo vetëm për pozicionin, por edhe për kulturën dhe vlerat e korporatës. Banka rekruton ekspertë me eksperiencë në fushat përkatëse, si dhe të rinj të sapo diplomuar me potencial për zhvillim profesional, të cilët i mbështet përmes trajnimeve dhe mentorimit. BKT investon në zhvillimin e brezit të ri duke dhënë bursa studimi në bazë të marrëveshjeve me Universitetin e New York Tirana, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Akademinë BKT Fintech, si pjesë e përkushtimit për të ndërtuar një burim të qëndrueshëm talentesh për të ardhmen.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, banka ka mirëpritur 210 punonjës të rinj, duke përforcuar angazhimin e saj për të ndërtuar një ekip cilësor dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Investim në burime njerëzore të qëndrueshme
Banka investon në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin profesional të stafit, duke organizuar rregullisht sesione trajnimi me lektorë vendas dhe ndërkombëtarë. Gjithashtu, mbështet punonjësit përmes politikave financiare dhe nismave sociale, të cilat promovojnë barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen. Statistikat tregojnë se 75% e të punësuarve janë femra, ndërsa 25% janë meshkuj.
Kjo certifikatë i bashkohet një galerie të gjerë vlerësimesh ndërkombëtare që BKT ka marrë ndër vite si “Banka më e mirë në Shqipëri”, ‘’Banka më novatore në Evropën Juglindore’’, ‘’Banka më e mirë në Shqipëri për praktika të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës’’ nga institucione prestigjioze ndërkombëtare si Global Finance, Euromoney, Emea Finance dhe The Banker.




