Bjellorusia ka filluar largimin e migrantëve nga kufiri me Poloninë, Kuznica-Bruzgi, deklaroi qeveria polake.
“Kam marrë informacionin se udhëheqësi bjellorus Aleksander Lukashenko ka siguruar autobusët e parë për migrantët. Kampi pranë Kuznicës po zbrazet”, theksoi sekretari polak i Shtetit, Maciej Wasik.
“Duket se Lukashenko e ka humbur këtë betejë kufitare”, shtoi ai për stacionin televiziv ”Republika”.
Dmitry Shevtsov, sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq bjellorus, theksoi se ”në pikën kufitare disa autobusë kishin ardhur për të marrë migrantët”.
Sipas rojave kufitare, autobusët për në Minsk gjithashtu duhej të organizoheshin për njerëzit që donin të ktheheshin në Irak nga kryeqyteti bjellorus.
Megjithatë, fillimisht ishte e paqartë se kur do të niseshin këta autobusë.
Mijëra emigrantë, shumica nga vendet e shkatërruara nga lufta si Iraku dhe Afganistani, janë bllokuar në rajonin kufitar, duke krijuar një krizë humanitare në kufirin lindor të BE-së.
BE-ja akuzon Aleksander Lukashenkon se i josh këta njerëz të dëshpëruar që të shkojnë në Bjellorusi dhe më pas i transporton në kufirin me Poloninë, ku ata mbeten të bllokuar në kushte të ftohti, me pak ushqim dhe strehim.