Bizneset që ushtrojnë veprimtari të klasifikuara si të rrezikshme për mjedisin do të duhet të sigurojnë paraprakisht një garanci financiare, përmes një garancie bankare ose kontrate sigurimi, që do të përdoret për mbulimin e kostove në rast dëmi mjedisor ose kërcënimi të drejtpërdrejtë për një dëm të tillë.
Vendimi i miratuar nga qeveria përcakton për herë të parë në mënyrë të detajuar procedurën e vendosjes, llogaritjes dhe ekzekutimit të këtyre garancive. Detyrimi do të zbatohet për operatorët që kryejnë aktivitetet e përfshira në listën e veprimtarive të konsideruara të rrezikshme për mjedisin, të miratuar me vendimin nr.666, datë 2 shtator 2026.
Për operatorët që janë aktualisht në aktivitet, afatet janë të ndara në dy faza. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ata duhet të paraqesin pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove. Brenda 12 muajve, duhet të kenë siguruar garancinë financiare të pranuar nga AKM-ja. Ndërsa për subjektet që do të nisin aktivitet pas hyrjes në fuqi të vendimit, garancia duhet të jetë siguruar përpara fillimit të veprimtarisë.
Garancia mund të marrë formën e një garancie bankare të parevokueshme, të pakushtëzuar dhe të pagueshme me kërkesën e parë të AKM-së, ose të një kontrate sigurimi për përgjegjësinë ndaj dëmit në mjedis. Operatorët mund të kombinojnë të dyja format, me kusht që mbulimi i përgjithshëm të plotësojë të gjithë shumën e kërkuar.
Shuma do të varet nga skenari më i rëndë i mundshëm
Sipas vendimit, vlera e garancisë do të caktohet nga AKM-ja veçmas për çdo operator, aktivitet dhe vendndodhje, duke marrë parasysh natyrën dhe përmasat e aktivitetit, teknologjinë e përdorur, llojin dhe sasinë e substancave ose mbetjeve, ndjeshmërinë e zonës, masat parandaluese dhe historikun e incidenteve.
Kriteri kyç është se garancia nuk mund të jetë më e ulët se kostoja e plotë e parashikuar për masat dhe kompensimin që mund të kërkohen njëkohësisht në skenarin më të rëndë të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme.
Madhësia e kompanisë, forma juridike apo gjendja e saj financiare nuk mund të përdoren si arsye për të ulur shumën e garancisë.
Në praktikë, kjo do të thotë se dy kompani që ushtrojnë të njëjtin lloj aktiviteti mund të kenë detyrime të ndryshme financiare, në varësi të kapacitetit, vendndodhjes, substancave të përdorura dhe potencialit të dëmit.
Garancia mbulon parandalimin, rehabilitimin dhe kompensimin
Fondet e garantuara do të mbulojnë kostot për vlerësimin e dëmit, marrjen e masave parandaluese, ndalimin ose kufizimin e ndotjes, rehabilitimin e mjedisit dhe kompensimin në rastet kur kthimi i tij në gjendjen e mëparshme është i pamundur.
Ato mund të përdoren gjithashtu për masat që ndërmerr vetë AKM-ja ose një palë e tretë e caktuar prej saj, kur operatori nuk vepron sipas detyrimeve ligjore.
Nga ana tjetër, garancia nuk do të mbulojë gjobat administrative, kostot normale të aktivitetit të biznesit apo kërkesat private për dëme ndaj personave ose pronës që nuk përbëjnë dëm mjedisor.
Po kështu, shuma e garancisë nuk përbën kufirin maksimal të përgjegjësisë së biznesit. Nëse dëmi dhe kostot e ndërhyrjes janë më të larta se shuma e garantuar, operatori do të vazhdojë të jetë përgjegjës edhe për diferencën. Të gjitha kostot për sigurimin dhe mbajtjen e garancisë do të përballohen nga vetë operatori.
AKM mund ta ekzekutojë garancinë kur biznesi nuk ndërhyn
Vendimi thotë se AKM-ja do të ketë të drejtë të kërkojë ekzekutimin e garancisë kur operatori nuk merr masat parandaluese ose rehabilituese të kërkuara, nuk paguan kompensimin e përcaktuar ose ndodhet në pamundësi financiare për të përmbushur detyrimet, përfshirë rastin e falimentimit.
Pagesat e marra nga ekzekutimi i garancisë do të përdoren vetëm për mbulimin e kostove që lidhen me dëmin mjedisor. Edhe në këtë rast, ekzekutimi i garancisë nuk e çliron kompaninë nga kostot që tejkalojnë shumën e siguruar.
Garancia duhet të mbahet pa ndërprerje gjatë gjithë aktivitetit dhe mund të vazhdojë të kërkohet edhe pas mbylljes së tij, për aq kohë sa AKM-ja vlerëson se ekziston ende rrezik ose detyrime rehabilituese. Ajo mund të lirohet vetëm me vendim të AKM-së, pasi të jetë verifikuar se nuk ekziston më kërcënim dhe janë përmbushur detyrimet mjedisore, thuhet në vendim.
Në rast se një operator ka tashmë një garanci të vendosur nga legjislacioni sektorial dhe ajo mbulon plotësisht të njëjtat rreziqe dhe kosto, nuk do t’i kërkohet një garanci e dytë. Kur mbulimi është vetëm i pjesshëm, operatori do të duhet të sigurojë vetëm diferencën e pambuluar.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
