Ndërmarrjet e vogla shqiptare kanë ulur ndjeshëm mbështetjen te lëndët e para të siguruara brenda vendit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa industria vijon të jetë sektori më pak i orientuar drejt furnizimeve vendase.
Sipas Vrojtimit të Gjendjes Financiare dhe Huamarrjes së Ndërmarrjeve, të Bankës së Shqipërisë, pesha e ndërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbi 80% të lëndëve të para në tregun vendas ka rënë me 14 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
Ndërkohë, te ndërmarrjet e mesme kjo përqindje ka shënuar rritje me 2 pikë përqindjeje, ndërsa te ndërmarrjet e mëdha ka mbetur e pandryshuar në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm.
Në total, rreth 42% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme deklarojnë se sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit, kundrejt 34% të ndërmarrjeve të mëdha.
Dallimet janë edhe më të theksuara mes sektorëve të ekonomisë.
Industria rezulton sektori me mbështetjen më të ulët te burimet vendase. Vetëm 20% e ndërmarrjeve industriale deklarojnë se sigurojnë mbi 80% të lëndëve të para në Shqipëri, nga 25% në fund të vitit 2025 dhe 21% në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, 53% e ndërmarrjeve industriale sigurojnë jo më shumë se 20% të lëndës së parë në tregun vendas. Kjo përqindje është rritur nga 50% në fund të vitit 2025.
Në ndërtim, pesha e kompanive që sigurojnë mbi 80% të lëndëve të para brenda vendit ka zbritur në 57%, nga 63% në gjashtëmujorin e kaluar dhe 67% një vit më parë.
Edhe në tregti është vërejtur një rënie e kësaj peshe, nga 26% në fund të vitit të kaluar në 21% gjatë gjashtëmujorit të parë 2026.
Ndryshe paraqitet situata në shërbime, ku 53% e ndërmarrjeve sigurojnë mbi 80% të lëndëve të para në tregun vendas, një përqindje e pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm.
Nga ana tjetër, shitjet e ndërmarrjeve mbeten të orientuara kryesisht drejt tregut të brendshëm.
Rreth 76% e ndërmarrjeve të vogla shesin mbi 80% të produkteve në tregun vendas. Për ndërmarrjet e mesme kjo përqindje është 63%, ndërsa për të mëdhatë 58%.
Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, pesha e bizneseve që realizojnë mbi 80% të shitjeve në tregun vendas është ulur me 2 pikë përqindjeje te ndërmarrjet e vogla dhe me 4 pikë përqindjeje te të mesmet, ndërsa ka mbetur e pandryshuar te të mëdhatë.
Të dhënat tregojnë se orientimi drejt furnizimeve të huaja mbetet veçanërisht i theksuar në industri, ndërkohë që tregu vendas vijon të jetë destinacioni kryesor i shitjeve për pjesën më të madhe të ndërmarrjeve të vrojtuara. /ekofin.al
