Pas institucioneve bankare, tashmë edhe instucionet jofinanciare detyrohen të deklarojnë brenda 24 orëve çdo veprim dhe transaksion me vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 milion lek ose kundërvlera në monedha të tjera të huaja, të kryer si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëra- tjetrën.
Udhëzimi i ministrit të Financave “Për mënyrat dhe procedurat për zbatim nga bizneset dhe profesionet e caktuara jofinanciare”, publikuar në Fletoren Zyrtare detajon procesin dhe orienton në kuadër të luftës kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave të gjithë subjektet të cilat duhet të mbledhin informacion, mbi bazën e të cilit duhet të krijojnë profilin e rrezikut të klientit.
Lista e subjekteve jofinanciare përfshin subjektet e lojërave të fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme; avokatët, noterët dhe profesionet e tjera të lira, agjentë e pasurive të paluajtshme, shitblerjen e çdo mjeti motorik tokësor, detar apo ajror, si dhe kompanitë e transportit.
Tashmë edhe blerjet luksoze të bizhuterive personale apo pushimet e shtrenjta do të duhet të deklarohen, pasi udhëzimi përfshin edhe bizneset e metaleve e të gurëve të çmuar, veprave të artit, si dhe ankandet e çdo lloji të sendeve me vlerë mbi një milion lek, si dhe agjencitë e udhëtimit.
Udhëzimi përfshin gjithashtu çdo individ, person fizik apo juridik, që tregton mallra apo shërbime në masën që kryen apo pranon pagesa në para fizike në një shumë prej 1 milion lekësh ose më shumë, si dhe audituesit ligjorë, kontabilistët e miratuar, këshilltarët tatimorë, etj., si biznes kryesor apo veprimtari profesionale.
Më tej subjektet jofinanciare detyrohen të tregojnë vigjilencën e duhur dhe të raportojnë çdo transaksion të dyshimtë.
Në rastin e një marrëdhënieje të vazhdueshme me klientin subjektet përditësojnë të dhënat dhe informacionin e marrë, sa herë që është e nevojshme, bazuar në masat e vigjilencës së duhur, monitorimin e kësaj marrëdhënie dhe profilin e rrezikut të klientit.
Përveç kësaj, subjektet verifikojnë të dhënat dhe informacionin e marrë në kuadër të vigjilencës së duhur, përfshirë të dhënat e strukturës së pronësisë ligjore dhe pronësisë përfituese, për klientët e tyre, jo më pak se 1 herë në vit për klientët me rrezik të lartë; 1 herë në 3 vjet për klientët me rrezik të mesëm; 1 herë në 5 vjet për klientët me rrezik të ulët.
Ajo që bie në sy është vigjilenca e zgjeruar që mban në vëmendje personat e ekspozuar politikisht (PEP), përfshirë anëtarët e familjes, personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personave të ekspozuar politikisht; organizatat jofitimprurëse; organizimet ligjore; marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientët jorezidentë, të vlerësuara me rrezik të lartë; shoqëri që kanë aksione të mbajtësit; si dhe vende ose zona gjeografike të vlerësuara me rrezik të lartë ndaj të cilave duhet të zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar.
Afati i ruajtjes së dokumentacionit përfshirë dosjet e llogarive dhe korrespondencën e biznesit është 5 vjet nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit apo nga data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 vjet./ekofin.al