Moti i keq që përfshiu disa zona të vendit gjatë mbrëmjes së djeshme ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike, ujësjellësa dhe disa pika të infrastrukturës, ndërsa ekipet e ndërhyrjes kanë vijuar punën që në orët e para pas reshjeve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se grupet e punës janë angazhuar në terren për rikthimin e normalitetit, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka monitoruar akset rrugore dhe ka ndërhyrë për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna në rrugë.
Akset kombëtare kanë vijuar të jenë të kalueshme dhe qarkullimi rrugor është zhvilluar pa probleme të mëdha.
Problematika janë regjistruar kryesisht në rrjetin elektrik. Aktualisht, 21 fidera rezultojnë jashtë funksionit në disa zona, mes tyre në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Librazhd. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 mijë punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin gradual të energjisë.
Ndërkohë, rrjeti i transmetimit të energjisë vijon punën normalisht, me linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV aktive. Edhe situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë, pa problematika të raportuara.
Probleme të përkohshme janë shfaqur edhe në disa stacione pompimi të ujit. Në Sarandë dhe Ksamil furnizimi është rikthyer në normalitet, ndërsa në Fier është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke rikthyer furnizimin me ujë për qytetin.
Në Patos vijon mungesa e ujit për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e Varibopit, ku ekipet po punojnë për zgjidhjen e situatës.
Stuhia ka prekur edhe aktivitetin portual. Në Terminalin e Kontejnerëve në Portin e Durrësit janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, ku 8 prej tyre kanë pësuar dëmtime. Aktualisht po vijon vlerësimi i dëmeve dhe koordinimi me kompanitë përgjegjëse.
Në Aeroportin e Tiranës situata ka qenë përgjithësisht e qetë, me disa vonesa të lehta në fluturimet në ardhje për shkak të kushteve atmosferike.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura, ndërsa ekipet mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

