Shifrat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) tregojnë se numri i kërkesave për azil nga shqiptarët gjatë muajit maj të këtij viti ra me 38.5%, krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë. Referuar shifrave, përgjatë majit paraqitën kërkesën për mbrojtje 690 persona, ndërkohë në majin e vitin 2022 regjistroheshin gjithsej 1,123 kërkesa. Këto aplikime ndahen në 531 kërkesa për herë të parë dhe në 159 kërkesa përsëritëse. Sipas të dhënave, karahasuar me muajin paraardhës, pra muajin prill, numri i aplikimeve për azil vërehet me rënie.
Nisur edhe nga shifrat e mëparshme duket se kurba e këtij treguesi po vjen në rënie jo vetëm në terma vjetorë, por edhe nga muaji në muaj. Sipas “Agjencisë për Azil e Bashkimit Europian” denstinacionet kryesore ku shqiptarët kanë paraqitur kërkesat për mbrojtje janë Franca, Gjermania dhe Italia.
Shqipëria ka një shkallë njohje shumë të ulët, me vetëm 7%. Pra, vetëm 7% e kërkesave nga shqiptarët kanë marrë përgjigje pozitive për muajin maj të këtij viti. Shkalla e njohjes llogaritet duke pjesëtuar numrin e vendimeve pozitive të shkallës së parë (dhënia e statusit të refugjatit) me numrin total të vendimeve të nxjerra.

