Për disa orë, Kruja u rrethua nga zjarri, ndërsa qindra banorë lanë shtëpitë mes frikës se flakët mund t’u merrnin gjithçka.
Situata më e vështirë ishte në Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Qindra qytetarë u evakuuannga Kruja, ndërsa pati edhe nga ata që refuzuan të braktisnin shtëpitë. Përballë rrezikut, autoritetet u detyruan t’i nxirrnin me forcë.
Nën kërcënimin e flakëve u vu edhe Spitali i Krujës. Zjarri u afrua deri rreth 50 metra nga godina dhe pacientët u evakuuan gjatë natës, për t’u dërguar drejt Tiranës. Pavarësisht situatës së frikshme, nuk raportohet për persona të lënduar.
Beteja me zjarrin vijoi për orë të tëra. Terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e bënë ndërhyrjen edhe më të komplikuar. Në 5 lagje u ndërpre energjia elektrike, ndërsa strukturat vendore u angazhuan për strehimin e banorëve të evakuuar.
Me zbardhjen e ditës, Kruja mori frymë disi. Gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse dhe FA kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Dy vatra mbeten ende aktive, ndërsa dy helikopterë kanë nisur operacionin nga ajri për të vënë plotësisht nën kontroll flakët.
