Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar në rritje parashikimin për ekonominë shqiptare për vitin 2026, në një kohë kur perspektiva për një pjesë të ekonomive ku operon banka është përkeqësuar.
Në raportin më të fundit “Regional Economic Prospects”, publikuar në shtator 2026, BERZH parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë të rritet me 3.5% gjatë këtij viti, ose 0.1 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me parashikimin e publikuar në qershor. Për vitin 2027, pritshmëritë mbeten të pandryshuara, me një rritje ekonomike prej 3.5%.
Vlerësimi i BERZH tregon gjithashtu se ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme relativisht të larta rritjeje në pjesën e parë të vitit. Sipas të dhënave të raportit, pas një rritjeje prej 4% në vitin 2024 dhe 3.8% në vitin 2025, ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë zgjeruar me 3.7% me bazë vjetore në gjashtëmujorin e parë të 2026-s.
Rishikimi pozitiv për Shqipërinë vjen në një panoramë më të përzier për Ballkanin Perëndimor. BERZH pret që ekonomitë e rajonit të rriten mesatarisht me 3% në vitin 2026, për t’u përshpejtuar në 3.5% në vitin 2027. Për vitin aktual, parashikimi rajonal është rritur me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me qershorin.
Në këtë mënyrë, rritja prej 3.5% që BERZH parashikon për Shqipërinë këtë vit është gjysmë pikë përqindjeje mbi mesataren prej 3% të Ballkanit Perëndimor.
Sipas BERZH, aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor u ngadalësua nga 3.7% në vitin 2024 në 2.6% në 2025, por u përshpejtua përsëri në 3.4% në gjysmën e parë të vitit 2026. Perspektiva për rajonin pritet të mbështetet nga përmirësimi i kërkesës së jashtme, aktiviteti më i fortë investues dhe turizmi.
Brenda rajonit, BERZH parashikon për vitin 2026 rritje prej 3.5% për Shqipërinë dhe Kosovën, 3.3% për Maqedoninë e Veriut, 3.1% për Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina pritet të ketë një rritje më të ulët, prej 2.1%. Për vitin 2027, parashikimi për Shqipërinë mbetet 3.5%, ndërsa Kosova pritet të arrijë 3.9% dhe Serbia 3.8%.
Rishikimi në rritje për Shqipërinë merr më shumë peshë edhe në kontekstin e zhvillimeve globale. Për të gjitha ekonomitë ku operon BERZH, banka e ka ulur me 0.6 pikë përqindjeje parashikimin e rritjes për 2026, në 2.5%. Duke përjashtuar Irakun, korrigjimi është më i vogël, me 0.1 pikë përqindjeje, dhe lidhet ndër të tjera me kushte më të shtrënguara financimi, efektet e thatësirës në Europë dhe ndërprerjet e tregtisë në Detin e Zi.
Raporti evidenton gjithashtu presionet që vijnë nga tregjet energjetike. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 70% që nga shkurti 2026. Në të njëjtën kohë, ndërprerjet e transportit të drithërave në Detin e Zi kanë kontribuar në një rritje prej më shumë se një të tretës të çmimit të grurit.
Pavarësisht këtij mjedisi të jashtëm më të vështirë, BERZH e ka korrigjuar në kahun pozitiv pritshmërinë për Shqipërinë. Parashikimi prej 3.5% për vitin 2026 është tashmë më i lartë se ai i qershorit, ndërsa të dhënat për gjysmën e parë të vitit, me një rritje të vlerësuar prej 3.7%, tregojnë se ekonomia ka hyrë në pjesën e dytë të vitit me një ritëm rritjeje mbi projeksionin për të gjithë vitin./ekofin.al

