Ekonomia shqiptare vijon të rritet, por zgjerimi po mbështetet kryesisht nga administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, ndërsa industria dhe bujqësia vazhdojnë të tkurren. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se ekonomia u rrit me 3.8% në vitin 2025 dhe me 3.7% në tremujorin e parë të 2026-s, ndërsa dobësimi i sektorëve prodhues lidhet me forcimin e lekut, kërkesën e dobët nga jashtë dhe rritjen e pagave, të cilat po ushtrojnë presion mbi konkurrueshmërinë.
Ndërkohë, flukset neto të investimeve të huaja direkte u rritën me 11% me bazë vjetore në tremujorin e parë të 2026-s, por BERZH thotë se ato ishin të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme dhe ndërmjetësimin financiar. Pra, rritja e kapitalit të huaj nuk po shoqërohet në të njëjtën masë me forcim të sektorëve prodhues, të cilët sipas raportit vijojnë të jenë nën presion.
Në të njëjtin drejtim shkon edhe zhvillimi i tregtisë së jashtme. Deficiti i llogarisë korrente vijoi të ngushtohej në fillim të këtij viti, i ndihmuar nga të ardhurat rekord nga turizmi dhe remitancat e forta. Megjithatë, përmirësimi nuk erdhi nga tregtia e mallrave: BERZH nënvizon se deficiti tregtar i mallrave vazhdoi të zgjerohej.
Kjo gjë krijon një kontrast mes performancës së shërbimeve dhe asaj të ekonomisë prodhuese. Turizmi po siguron më shumë të ardhura nga jashtë dhe sektori i pasurive të paluajtshme po tërheq kapital, ndërsa industria dhe bujqësia përballen me kushte më të vështira konkurruese. Veçanërisht forcimi i lekut ul vlerën në monedhën vendase të të ardhurave të eksportuesve, ndërsa rritja e pagave shton kostot e prodhimit; BERZH i identifikon të dy këta faktorë, së bashku me kërkesën e dobët të jashtme, si presione mbi konkurrueshmërinë.
Pavarësisht këtyre dobësive, BERZH mbetet pozitive për ritmin e përgjithshëm të ekonomisë. Institucioni parashikon që rritja të jetë 3.5% në vitin 2026 dhe 3.5% në 2027. Për këtë vit, parashikimi është rritur me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me vlerësimin e qershorit, për shkak të reformave dhe investimeve të lidhura me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, vetë BERZH rendit presionet mbi konkurrueshmërinë ndër rreziqet kryesore për perspektivën e Shqipërisë, së bashku me rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme. /ekofin.al

