Kryedemokrati Sali Berisha shpalli ndryshimin rrënjësor në programin e Partisë Demokratike. Në takimin virtual me gazetarët ai tha se do sjellë një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë. Përshëndetje të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim periodik të shtypit.
Sot, jam para jush për të shpallur publikisht para shqiptarëve një ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike. Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë. Parti e iniciativës së lirë, nuk beson kurrë PD se duke luftuar iniciativën e lirë, mund të luftojë varfërinë.
