Komisioneri i Drejtësisë në Bashkimin Evropian ka shprehur tronditje për toksicitetin dhe rreziqet e disa produkteve që shiten nga Shein dhe Temu, në kuadër të një aksioni kundër këtyre platformave të njohura kineze të shitjes online. Me rreth 12 milionë pako me vlerë të ulët që hyjnë çdo ditë në BE nga shitës online jashtë bllokut, Michael McGrath është zotuar të godasë shitjen e produkteve që shkelin haptazi ligjin.
Ai është në pritje të rezultateve të një operacioni të fshehtë blerjeje në të gjithë BE-në, për të testuar më tej provat e mbledhura se këto platforma po anashkalojnë ligjet evropiane. Ndër rastet më shqetësuese që ka hasur McGrath janë qetësuesit për bebe me rruaza që bien lehtësisht, duke përbërë rrezik mbytjeje, pasi nuk përmbanin hapjen me madhësinë e rregulluar që lejon një bebeje që mund të gëlltisë aksidentalisht një pjesë, të marrë ende frymë.
Në një raport të publikuar këtë muaj nga eurodeputetët, u përmendën edhe veshje shiu për fëmijë që përmbajnë kimikate toksike, syze dielli pa filtër UV dhe pantallona të shkurtra për fëmijë me lidhëse më të gjata se ç’lejohet, që krijojnë rrezik pengese. Gjithashtu u zbuluan produkte kozmetike që përmbanin përbërësin butylphenyl methylpropional, i njohur si Lilial, i cili është në listën e BE-së si kimikat me “rrezikshmëri shumë të lartë” dhe është ndaluar që prej vitit 2022 për shkak të shqetësimeve se ndikon në fertilitetin dhe zhvillimin e fetusit. Vitin e kaluar, qeveria britanike u kërkoi konsumatorëve të hidhnin çdo produkt që përmbante këtë përbërës.
“Jam i tronditur nga kjo dhe mendoj se kemi detyrimin të mbrojmë konsumatorët evropianë,” tha McGrath për gazetën The Guardian. Autoritetet kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit lëshojnë njoftime të shpejta paralajmëruese në të gjithë BE-në për produkte të pasigurta jo-ushqimore përmes shërbimit Safety Gate, i cili gjithashtu është i hapur për ankesa nga konsumatorët. Vitin e kaluar, Safety Gate regjistroi një numër rekord prej 4,137 paralajmërimesh, ku më shumë se një e treta lidhej me kozmetikën, të ndjekura nga lodrat, pajisjet elektrike, automjetet dhe produktet kimike.
Ndërsa grupet e konsumatorëve janë të shqetësuara për sigurinë, McGrath thekson edhe ndikimin që këto platforma, të cilat kanë njohur rritje shpërthyese në dy vitet e fundit, kanë mbi bizneset vendase përmes konkurrencës së padrejtë. “Rritja është jashtëzakonisht e madhe dhe ka ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi sistemet në nivel shteti anëtar,” tha ai. “Jam i vendosur që të forcojmë zbatimin e ligjeve për sigurinë e produkteve dhe rregullat për mbrojtjen e konsumatorit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe me barazinë në konkurrencë për bizneset evropiane, të cilat pritet të konkurrojnë me shitës që nuk i zbatojnë rregullat tona,” theksoi ai. “Ata kanë kosto të mëdha për të përmbushur kërkesat tona, dhe nuk është e drejtë të detyrohen të konkurrojnë me ata që nuk bëjnë të njëjtën gjë.”
Të dhënat e BE-së tregojnë se 12 milionë artikuj me vlerë të ulët hyjnë çdo ditë në bllok, duke arritur në 4.6 miliardë porosi nën 150 euro për vitin 2024 – dyfishi i vitit 2023 dhe trefishi i vitit 2022. Mes masave që BE-ja po shqyrton është heqja e pragut prej 150 eurosh për përjashtimin nga taksat doganore dhe vendosja e një tarife për përpunimin e çdo pakete, si mjet për të dekurajuar blerjet me vlerë të ulët dhe për të ndihmuar në mbulimin e kostove të kontrolleve doganore shtesë./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
