Lista e problemeve të TikTok-ut me Bashkimin Evropian po zgjerohet, pasi Brukseli konstatoi se cilësimet e privatësisë së platformës i lanë llogaritë e fëmijëve të ekspozuara ndaj të rriturve dhe rreziqeve që lidhen me këtë.
Komisioni Evropian njoftoi se TikTok nuk kishte mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme privatësinë e fëmijëve në platformë, duke u lejuar të rriturve të shihnin llogaritë e të miturve.
Sipas Komisionit, kjo mangësi i ekspozoi fëmijët ndaj bullizmit kibernetik, kontakteve të padëshiruara dhe sjelljeve grabitqare.
Konstatimi është masa më e fundit në serinë e ndërhyrjeve të Brukselit ndaj kompanive të mëdha teknologjike. Bashkimi Evropian ka qenë ndër aktorët kryesorë në rregullimin e gjigantëve të teknologjisë, përfshirë Meta-n dhe Apple-in.
TikTok tani ka të drejtë të mbrohet dhe t’u përgjigjet konstatimeve.
Nëse Komisioni nuk bindet nga përgjigjja e kompanisë kineze, mund të nxjerrë një vendim për mosrespektim të rregullave dhe të vendosë një gjobë që mund të arrijë deri në 6% të të ardhurave totale vjetore të kompanisë.
Komisioni po heton respektimin nga TikTok të Aktit të Shërbimeve Digjitale, DSA, kuadri i gjerë rregullator i BE-së për platformat online, që prej shkurtit 2024, kur kompania u klasifikua si Platformë Shumë e Madhe Online sipas këtij ligji.
Kjo nuk është hera e parë që hetimi prodhon konstatime negative për TikTok-un.
Në shkurt, Komisioni konstatoi se platforma kishte shkelur një pjesë tjetër të DSA-së lidhur me “dizajnin që krijon varësi”, duke përmendur funksione të tilla si luajtja automatike dhe lëvizja e pafundme në ekran. Sipas Komisionit, këto veçori mund të dëmtojnë shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve, veçanërisht të të miturve.
TikTok i hodhi poshtë në atë kohë këto konstatime, duke e cilësuar vlerësimin e Komisionit si “kategorikisht të pavërtetë”.
Kompania është përballur me hetime edhe përtej DSA-së.
Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave e gjobiti TikTok-un me 345 milionë euro në vitin 2023 për shkelje të rregullave të BE-së për mbrojtjen e të dhënave, pasi kishte lejuar llogari për fëmijë nën 13 vjeç dhe nuk kishte mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme të dhënat e tyre.
TikTok u gjobit veçmas me 530 milionë euro nga i njëjti autoritet për transferimin e të dhënave të përdoruesve Evropianë drejt Kinës. Vendimi u la në fuqi këtë vit nga Gjykata e Lartë e Irlandës./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

