Italia dhe Gjermania po kërkojnë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian për t’i bërë thirrje BE-së të lehtësojë objektivat për reduktimin e emetimeve të karbonit të makinave, si dhe rishqyrtimin e ndalimit të shitjeve duke filluar nga viti 2035 të modeleve me benzinë dhe naftë, tha ministri italian i Industrisë Adolfo Urso në Bruksel.
Sipas ministrit, tashmë ishte “e sigurt” se objektivi zero emetim karboni nga makinat nuk është i arritshëm. Për këtë arsye, të dyja vendet planifikojnë t’i propozojnë të enjten samitit të Këshillit Evropian të rishikojë klauzolën e legjislacionit në fillim të vitit 2025 dhe jo në fund të 2026, siç ishte parashikuar.
Deklarata e ministrit italian pason qëndrimin e Kryeministres Giorgia Meloni 3 muaj më parë, e cila e konsideroi ndalimin e makinave të tilla nga 2035 “një çmenduri ideologjike”.
Grupi me ndikim në Bruksel, anëtarët e të cilit përfshijnë BMW, Ford, Renault, Volkswagen dhe Volvo, njoftuan se regjistrimet e makinave të reja ranë nën 644,000 në gusht, një rënie më shumë se 18% krahasuar me të njëjtin muaj në 2023. Shitjet e makinave elektrike pësuan rënien më të madhe proporcionale, ku kuotat e tregut ranë me gati një të tretën nga 21% që ishte vitin e kaluar. Prodhuesit gjithashtu shprehën shqetësimin se kanë mungesë të kushteve primare për të prodhuar makina me zero emetim karboni si sigurimin e energjisë së gjelbër të përballueshme, lehtësimin e taksave etj.
Aktualisht, kufiri i emetimit është 115.1 gram për kilometër, por BE ka vendosur ta zbresë në 93.6 gram vitin e ardhshëm, një objektiv i vështirë për t’u arritur.
Sipas klauzolave të BE-së, duke filluar nga viti 2035 në vendet anëtare do të duhet të shiteshin vetëm makina dhe mjete transporti që nuk emetojnë fare karbon, një ndalim de facto për modelet me benzinë dhe naftë.
Me ndërhyrjen e Gjermanisë, u arrit të futej një klauzolë për rishikimin në vitin 2026 të regjistrimit të makinave që përdorin “karbon të ulët” sintetik, përkundrejt motorit me djegie të brendshme.
Ndërsa sektori industrial që përfshin prodhuesit e baterive, gjeneratorëve dhe ata që duan të përfitojnë nga përshpejtimi i elektrifikimit të sistemit të energjisë evropiane, po lobojnë fort që BE t’u përmbahet objektivave të saj aktualë.
