Raporti i Progresit 2025 i Komisionit Evropian për Shqipërinë vlerëson pozitivisht performancën ekonomike të vendit gjatë periudhës 2024–2025, duke e cilësuar ekonominë shqiptare “me nivel të mirë përgatitjeje drejt funksionimit të plotë të ekonomisë së tregut”. Megjithatë, raporti nënvizon se ristrukturimi fiskal, transparenca buxhetore dhe efikasiteti i investimeve publike mbeten ndër sfidat kryesore për një zhvillim të qëndrueshëm dhe konvergjencë të plotë me standardet e BE-së.
Rritje e qëndrueshme dhe konsolidim fiskal
Komisioni konstaton se Shqipëria ka ruajtur një ecuri të fortë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2024, e nxitur nga kërkesa e brendshme, turizmi dhe konsumi privat. Inflacioni ra nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa borxhi publik vijoi rënien, falë politikave të konsolidimit fiskal. Të ardhurat buxhetore u rritën, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto niveli i mbledhjes së të ardhurave mbetet i ulët, ndërkohë që shpenzimet për investime publike janë nën-ekzekutuar në mënyrë të përsëritur.
Komisioni vlerëson përpjekjet e qeverisë për miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027, e cila synon rritjen graduale të të ardhurave me rreth 2.5% të PBB-së deri në vitin 2027 dhe rishikimin e politikave të përjashtimeve fiskale. Sipas raportit, në vitin e ardhshëm qeveria duhet të reduktojë numrin e përjashtimeve nga taksat që nuk kanë bazë të fortë politike ose ekonomike; të rrisë transparencën fiskale të ndërmarrjeve shtetërore; si edhe të përmirësojë sistemin e menaxhimit të investimeve publike dhe përzgjedhjen e projekteve që hyjnë në programin buxhetor afatmesëm.
Borxhi publik dhe menaxhimi fiskal
Borxhi publik ndaj PBB-së vijon të ketë trajektore zbritëse, i mbështetur nga disiplina fiskale dhe reduktimi i riskut të huasë në valutë të huaj. Megjithatë, Komisioni thekson se reformat fiskale duhet të thellohen, sidomos në forcimin e kontrollit parlamentar mbi ndryshimet buxhetore, pasi rishikimet e buxhetit përmes akteve normative nga ekzekutivi mbeten të shpeshta.
Raporti vë në dukje nevojën për krijimin e një institucioni të pavarur fiskal (Këshill Fiskal) dhe përmirësimin e raportimeve mbi riskun fiskal të ndërmarrjeve shtetërore dhe partneriteteve publike-private (PPP). Publikimi i të gjitha dokumenteve buxhetore kryesore vlerësohet si praktikë pozitive, por BE kërkon raportim më të thelluar mbi entitetet jashtë buxhetit dhe përgatitjen e bilanceve të konsoliduara të financave publike.
Tregu financiar dhe sektori bankar
Në analizën e sistemit financiar, raporti thekson se sektori bankar shqiptar mbetet stabil, i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të mjaftueshëm, ndërsa kreditimi i sektorit privat ka vazhduar të rritet. Vlerësohen përpjekjet për përafrimin e kuadrit rregullator me direktivat evropiane (CRD/CRR, BRRD, DGS), si dhe ndryshimet në ligjin për fondet private të pensionit, që afrojnë më tej Shqipërinë me standardet e BE-së.
Në vijim, Komisioni kërkon përfundimin e përafrimit të legjislacionit bankar me direktivat europiane për kapitalin dhe garancinë e depozitave; rregullimin dhe mbikëqyrjen e plotë të Bankës Kombëtare të Zhvillimit, për të siguruar që aktiviteti i saj të përputhet me standardet e mbikëqyrjes financiare evropiane; si edhe zbatim të plotë të kuadrit të sigurimeve sipas direktivës “Solvency II”.
Në fushën e lëvizjes së kapitalit, raporti përmend me rëndësi faktin që Shqipëria është bërë pjesë e zonës SEPA (Single Euro Payments Area), duke mundësuar pagesa ndërkufitare më të shpejta dhe më të lira që nga tetori 2025 – një hap që e afron ndjeshëm sistemin financiar shqiptar me tregun unik evropian.
Reforma tatimore dhe administrimi fiskal
Në fushën e tatimeve, Shqipëria është vlerësuar si mesatarisht e përgatitur, me përparim në zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe në analizën e përjashtimeve fiskale. Komisioni rekomandon që vendi të vazhdojë përafrimin e ligjit për TVSH-në dhe akcizat me acquis-n e BE-së; të thjeshtojë sistemin tatimor për të rritur pajtueshmërinë e bizneseve dhe për të luftuar evazionin; të forcojë përdorimin e të dhënave të palëve të treta në zbulimin e mashtrimeve fiskale dhe përgatitjen e sistemeve të ndërveprueshme me rrjetet tatimore të BE-së.
Konkurrueshmëria dhe investimet
Komisioni konstaton se Shqipëria po ruan avantazhin konkurrues në turizëm, por industria dhe bujqësia mbeten sektorë me produktivitet të ulët. Eksportet prodhuese ranë në 2025 për shkak të ngadalësimit të kërkesës në tregjet partnere dhe forcimit të kursit të këmbimit të lekut, çka kufizoi fuqinë konkurruese të bizneseve. Përmirësimi i klimës së biznesit kërkon zbatim të qëndrueshëm të ligjit, akses më të gjerë në financime dhe ulje të burokracive në regjistrimin e investimeve.
Në këtë kontekst, raporti e përshëndet miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve (BIDS) të rishikuar, por kërkon zbatim të qëndrueshëm dhe financim të sigurt për masat e saj, përfshirë zbatimin e plotë të direktivës për Pagesat e vonuara dhe përmirësimin e sistemit të pronësisë së pasurive si garanci për investitorët.
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 përforcon perceptimin se ekonomia shqiptare është në rrugën e duhur drejt integrimit evropian, me një bazë solide makroekonomike, por që kërkon reforma të qëndrueshme në administrimin fiskal, transparencën buxhetore dhe produktivitetin e sektorëve prodhues.
Nëse Shqipëria arrin të thellojë këto reforma, të forcojë institucionet ekonomike dhe të rrisë efikasitetin e investimeve publike, atëherë – siç thekson Komisioni – rritja ekonomike e qëndrueshme dhe konvergjenca me tregun unik evropian do të bëhen objektiva të prekshëm në dekadën e ardhshme. /ekofin.al
