Elbasani është bërë një nga dy qytetet e para në Ballkanin Perëndimor që kanë marrë etiketën e Misionit të Bashkimit Evropian për Qytete Klimatikisht Neutrale dhe Inteligjente, duke hapur rrugën për financime të specializuara evropiane dhe investime private në projekte të gjelbra.
Sipas një raporti të fundit mbi Transportin Urban të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, Elbasani dhe Sarajeva e morën “EU Mission Label” në prill 2026, ndërsa Podgorica vijon të jetë pjesë aktive e nismës dhe po punon për të arritur të njëjtin certifikim.

Etiketa evropiane konfirmon se Kontratat Klimatike të Qyteteve, të hartuara nga Elbasani dhe Sarajeva, përmbushin kërkesat e Misionit të BE-së për 100 qytete klimatike neutrale dhe inteligjente. Ky vlerësim u krijon qyteteve akses në instrumente të posaçme financimi të BE-së, asistencë teknike dhe mundësi për të tërhequr kapital privat për realizimin e investimeve klimatike.
Marrja e etiketës nuk nënkupton financim automatik të projekteve, por i vendos qytetet në një pozicion më të favorshëm për të paraqitur dhe strukturuar investime në fusha si transporti publik, eficienca energjetike, ulja e ndotjes dhe modernizimi i infrastrukturës urbane.
Për Elbasanin, një pjesë e rëndësishme e tranzicionit lidhet me transportin. Qyteti është përfshirë që prej vitit 2025 në partneritetin mes bashkive të Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit, me mbështetjen e GIZ, për përmirësimin e planifikimit, ofrimit dhe monitorimit të shërbimit me autobusë.
Dokumenti thekson gjithashtu se në Elbasan janë bërë hapa për forcimin e strukturave të administratës vendore në fushën e mobilitetit të qëndrueshëm dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Certifikimi i Elbasanit vjen në një kohë kur shumica e qyteteve të Ballkanit Perëndimor vijojnë të varen nga projektet e donatorëve për hartimin dhe zbatimin e planeve të mobilitetit. Rajoni nuk ka ende mekanizma të qëndrueshëm kombëtarë financimi dhe monitorimi, ndërsa përparimi mbetet i pabarabartë ndërmjet vendeve dhe bashkive.
Në këtë kontekst, Elbasani dhe Sarajeva krijojnë dy rastet e para konkrete në rajon ku planet klimatike vendore janë vlerësuar nga BE-ja dhe mund të shndërrohen në portofol investimesh të financueshme. Sfida e radhës për Elbasanin do të jetë kthimi i etiketës evropiane në projekte të realizuara dhe në rezultate të matshme për transportin, energjinë dhe cilësinë e ajrit. /ekofin.al

