3,5 miliardë euro të tjera priten të akordohen nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian për ndihmë ushtarake për Ukrainën. Kjo është bërë e ditur nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
”Mbështetja e vazhdueshme për Kievin është më e rëndësishme sot se kurrë, pasi ngjarjet e fundjavës në Rusi kanë treguar se lufta kundër Ukrainës po çon në çarje në sistemin rus të pushtetit dhe po ndikon në sistemin politik të vendit”, theksoi Borrell.
”Presidenti rus Vladimir Putin ka krijuar një përbindësh duke nisur një luftë të padrejtë kundër Ukrainës”, tha Borrell.
“Përbindëshi po e kafshon atë tani. Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij”, shtoi ai duke iu referuar tentativës për kryengritje nga mercenarët e grupit ”Wagner” gjatë fundjavës.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, pritet të zhvillojë bisedime me ministrin ukrainas, Dmytro Kuleba për ecurinë e luftës dhe situatën në vend.
