Shqipëria kishte përmbushur rreth 50% të treguesve të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes deri në fund të vitit 2025, duke u renditur pas Malit të Zi ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të paraqitura në raportin e ri të Bankës Botërore. Vlerësimi e vendos vendin mes ekonomive që kanë avancuar më shumë në reforma, ndërsa raporti thekson rëndësinë e tyre për financimin, investimet dhe zgjerimin e bizneseve.
Në raportin e tetorit 2026, Banka Botërore veçon Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë si vende që udhëheqin në përparimin e reformave. Për Shqipërinë, zhvillimet e evidentuara lidhen me forcimin e institucioneve fiskale, financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe tatimin e pronës.
Të dhënat, të cilat tregojnë përmbushjen e treguesve deri në fund të vitit 2025 e paraqesin Shqipërinë në nivelin e rreth gjysmës së tyre. Mali i Zi qëndron më lart, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nivele më të ulëta.
Sipas Bankës Botërore, afrimi me BE-në mbetet një shtysë e rëndësishme për reformat strukturore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, Moldavi dhe Ukrainë. Megjithatë, përparimi është i pabarabartë dhe hendeku institucional me ekonomitë me të ardhura të larta vazhdon të jetë i pranishëm.
Licenca brenda tri ditëve, zhdoganim i eksporteve në rreth një ditë
Raporti jep edhe dy shembuj konkretë për procedurat e biznesit në Shqipëri. Sipas tij, licencat e operimit lëshohen brenda tri ditëve, një afat që Shqipëria e ndan me Poloninë. Banka Botërore i përdor këto raste për të treguar se procedurat më të shpejta janë të arritshme dhe mund të lehtësojnë hyrjen e bizneseve në treg.
Për tregtinë, Shqipëria përmendet së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për zhdoganimin e eksporteve në rreth një ditë. Raporti vlerëson se procedurat efikase në kufi mund të ulin kostot e tregtisë dhe të përmirësojnë aksesin e ndërmarrjeve në tregje më të mëdha.
Përmirësimi i procedurave është një pjesë e reformave që nevojiten për rritjen e aktivitetit privat. Në analizën për Evropën dhe Azinë Qendrore, Banka Botërore evidenton pengesa që lidhen me zbatimin e pabarabartë të rregullave, financimin e vështirë të ndërmarrjeve të reja, mungesën e aftësive dhe dobësitë në procedurat e falimentimit. Këto kufizojnë konkurrencën, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.
Raporti rekomandon digjitalizimin e regjistrimit të kompanive, përshpejtimin e licencimit dhe të lejeve të ndërtimit, si dhe modernizimin e procedurave të falimentimit dhe ristrukturimit jashtë gjykatës. Për tregtinë, përparësi konsiderohen portalet e informacionit, zgjerimi i sistemeve doganore me një sportel dhe njohja e kualifikimeve profesionale ndërmjet vendeve.
Banka Botërore vlerëson se përfitimet më të mëdha ekonomike do të vinin nga reforma që ndërthurin qeverisjen më të mirë, zhvillimin e aftësive, konkurrencën dhe përdorimin e teknologjive nga ndërmarrjet. Këto masa mund të ulin kostot e hyrjes dhe të operimit, duke u krijuar më shumë hapësirë bizneseve produktive për t’u zgjeruar./ekofin.al

