Qeveria ka miratuar një vendim të ri që përcakton standardet teknike dhe rregullat e funksionimit për sistemet e basteve sportive on-line në Shqipëri, duke vendosur një kuadër të detajuar për mënyrën e operimit të platformave, sigurinë e të dhënave, monitorimin e transaksioneve dhe mbrojtjen e lojtarëve.
Vendimi përcakton kushtet minimale që duhet të plotësojnë sistemet, faqet e internetit dhe aplikacionet e basteve sportive on-line të subjekteve të licencuara, duke përfshirë kërkesat për komponentët hardëare dhe softëare, mënyrën e identifikimit dhe regjistrimit të lojtarëve, procedurat e pagesave dhe faturimit, si dhe standardet e sigurisë dhe kontrollit nga institucionet mbikëqyrëse.
Një nga elementët kryesorë të vendimit lidhet me procesin e identifikimit dhe regjistrimit të përdoruesve. Sistemi duhet të ofrojë një procedurë të thjeshtë, por të sigurt për regjistrimin e lojtarëve dhe nuk mund të krijojë një llogari pa vendosjen e të dhënave të plota të identifikimit, përfshirë emrin, mbiemrin, datëlindjen, adresën, dokumentin e identifikimit të skanuar, adresën e e-mailit dhe numrin e telefonit.
Po ashtu, çdo përdorues mund të ketë vetëm një llogari aktive për çdo identitet të verifikuar, ndërsa çdo tentativë për hapjen e llogarive të shumëfishta duhet të sinjalizohet automatikisht në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO), që administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF).
Sistemet e basteve duhet të jenë të integruara në mënyrë të plotë me këtë sistem qendror monitorimi, duke transmetuar në kohë reale të dhënat për bastet e vendosura, pagesat, fitimet, faturat dhe çdo transaksion të kryer në platformë.
Integrimi duhet të garantojë që të dhënat të jenë të verifikueshme dhe të mos mund të manipulohen, fshihen apo ndryshohen pas regjistrimit. Platforma duhet të shkëmbejë gjithashtu të dhëna me institucionet financiare dhe agjentët e licencuar të pagesave për kryerjen e transaksioneve vetëm përmes kanaleve bankare të miratuara, si dhe me administratën tatimore dhe doganore për raportimin automatik të taksave dhe tarifave.
Vendimi vendos gjithashtu standarde të detajuara për sigurinë e sistemeve dhe mbrojtjen e të dhënave. Komunikimi ndërmjet platformës, bazës së të dhënave dhe sistemeve të tjera duhet të realizohet me kanale të enkriptuara. Të gjitha të dhënat sensitive, si fjalëkalimet, identiteti i përdoruesve, kartat bankare dhe historiku i basteve, duhet të ruhen në mënyrë të sigurt në bazën e të dhënave dhe jo në pajisjet lokale të përdoruesve.
Platforma duhet të përfshijë edhe mekanizma mbrojtës kundër sulmeve kibernetike.
Sipas vendimit, sistemet duhet të jenë të aksesueshme 24 orë në ditë dhe të disponueshme si nëpërmjet faqeve ëeb, ashtu edhe aplikacioneve mobile, të përshtatshme për çdo pajisje dhe sistem operativ.
Vendimi përcakton se se Ndërfaqja duhet të mundësojë kontrollin e historikut të basteve dhe raportet e aktivitetit të lojtarit. Koha e ngarkimit të faqes nuk duhet të kalojë tre sekonda në rrjete 4G, ndërsa infrastruktura duhet të garantojë kohë përgjigjeje nën 200 milisekonda për çdo transaksion dhe një nivel funksionimi të vazhdueshëm të shërbimit prej të paktën 99.9 për qind.
Vendimi parashikon edhe masa për lojën e përgjegjshme. Platforma duhet t’u ofrojë lojtarëve mundësinë për të vendosur kufij mbi shumën që mund të depozitojnë, të luajnë apo të humbasin brenda një periudhe të caktuar, si dhe mundësinë për vetëpërjashtim nga loja për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar. Sistemi nuk duhet të pranojë asnjë bast që bie ndesh me kufijtë apo përjashtimet e vendosura nga vetë lojtari dhe duhet të përjashtojë nga komunikimet e marketingut përdoruesit që kanë zgjedhur vetëpërjashtimin.
Nga ana teknike, infrastruktura hardëare duhet të jetë e sigurt dhe e certifikuar, ndërsa datacenter-i ku hostohen sistemet duhet të plotësojë standardet ndërkombëtare ISO. Qendrat e të dhënave duhet të kenë kontroll fizik të aksesit, përmes kartave biometrike, kamera sigurie dhe regjistrimit të hyrje-daljeve.
Sistemet duhet të kenë gjithashtu mekanizma rezervë dhe rikuperimi për të garantuar funksionimin e pandërprerë të platformës edhe në rast të problemeve teknike, dështimit të pajisjeve, ndërprerjeve të energjisë ose situatave të tjera emergjente. Çdo lloj basti që ofrohet në platformë duhet të jetë i dokumentuar dhe i miratuar paraprakisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit përpara se të bëhet i disponueshëm për lojtarët./ekofin.al

