61 bashkitë e vendit shpenzuan më shumë para gjatë vitit të kaluar, por nuk e bënë këtë për investime dhe për të përmirësuar më tej jetën e qytetarëve, por më së shumti për paga dhe mbajtje njerëzish në punë.
Të dhënat zyrtare të Analizës së Financave vendore tregojnë se gjatë vitit 2024, shpenzimet e pushtetit vendor në Shqipëri arritën në 74.4 miliardë lekë, lekë ose rreth 5.5 miliardë lekë më shumë shpenzime krahasuar më vitin 2023. Krahasuar me një vit më parë shpenzimet vendore janë 8.1% më shumë.
Nga dokumenti vihet re se shpenzimet e personelit zënë rreth 45.7% të totalit të shpenzimeve vendore. Në raport me një vit më parë këto shpenzime kanë një rritje me mbi 4.3 miliardë lekë.
Shpenzimet për investime gjatë vitit 2024 zënë rreth 19.5% të totalit të shpenzimeve vendore, këto shpenzime kanë rënë edhe në peshë nga 24% që zënë në vitin 2023. Në raport me një vit më parë konstatohet që shpenzimet për investime kanë një rënie me rreth 2 miliardë lekë lekë.
Ndërsa shpenzimet operative në vitin 2024, zënë rreth 29.4% të totalit të shpenzimeve, duke u rritur me rreth 2.5 miliardë lekë krahasuar me shpenzimet e vitit 2023.
Pushteti vendor ka financuar në pjesën më të madhe të buxhetit funksionin e “Shërbimeve të përgjithshme publike” dhe “Arsimit”, përkatësisht në masën 21% dhe 19%. Funksionet që kanë patur rritje të shpenzimeve gjatë vitit 2024 krahasuar me një vit më parë janë “Mbrojtja Sociale” me një rritje prej 23% dhe “Arsimi” më një rritje prej rreth 12%. Të vetmet funksione të cilat kanë pasur rënie të shpenzimeve krahasuar me një vit më parë janë Shëndetësia me 42% më pak dhe “Rendi dhe Siguria” me rreth 1%.
Tirana dominoi me 33.6% të totalit të shpenzimeve vendore, ndonëse pati rënie të investimeve me rreth 1.3 miliardë lekë. Durrësi dhe Kamza vijojnë pas me 5.1% dhe 4.3% të shpenzimeve respektivisht. Bashkitë me mbi 100 mijë banorë (pa përfshirë Tiranën) shpenzuan 16.4 miliardë lekë në total, prej të cilave 8.9 miliardë lekë (58.3%) u përdorën për investime.
Bashkitë që regjistruan rritjen më të lartë të shpenzimeve janë Poliçani (+35%) dhe Kavaja (+30%). Nga ana tjetër, shpenzimet ranë ndjeshëm në bashkitë Himarë (-28%), Mallakastër (-19%) dhe Selenicë (-14%).
Bashkia Pukë ka nivelin më të lartë të shpenzimeve për banor (41,804 lekë), ndërsa Kruja më të ulëtin (12,627 lekë).
Mesatarisht, pushteti vendor shpenzoi 24,261 lekë për banor, nga të cilat vetëm 4,547 lekë (18.7%) u përdorën për investime, pjesa më e madhe për paga dhe shpenzime operative.


