Bashkia Himarë ka hapur tenderin 500 milionë lekë pa TVSH për ndërtimin e pedonales Spile–Saraçinko, një investim që përveç shëtitores përfshin edhe punime detare dhe ndërtimin e strukturës së një moli. Financimi do të shtrihet në tre vite, nga 2026 deri në 2028.
Sipas dokumenteve të tenderit, kontrata do të realizohet me formulën “çelësa në dorë”, ku operatori fitues do të duhet të hartojë projektin e detajuar teknik dhe më pas të zbatojë punimet. Për projektimin janë parashikuar 4 muaj, ndërsa afati për kryerjen e investimit është 20 muaj.
Fondi prej 500 milionë lekësh do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Himarë.
Megjithëse objekti zyrtar i prokurimit është “Ndërtimi i pedonales Spile Saraçinko”, dokumentacioni teknik tregon se ndërhyrja është më e gjerë se shtrimi i një shëtitoreje. Preventivi parashikon mobilim urban, punime betoni e betonarmeje, parmakë metalikë dhe druri, ndalues guri, struktura strehash dhe parapete, si dhe punime në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve dhe instalimet elektrike.
Në sipërfaqet e pedonales parashikohen ndër të tjera shtrim me pllaka mermeri, panele WPVC, beton me agregate në dukje dhe veshje me gur, ndërsa projekti përfshin edhe ndërhyrje në sipërfaqet ekzistuese, si prishjen e shtresave të betonit dhe trotuareve dhe zhvendosjen e linjave e shtyllave elektrike.
Një pjesë e rëndësishme e investimit lidhet me ndërtimin e molit. Dokumentet parashikojnë punime në prani të ujit dhe shpime me sonda, si dhe realizimin e pilotave me beton. Për këtë pjesë kërkohen licenca edhe për ndërtime detare, punime thellimi në ujë dhe shpime gjeologo-inxhinierike.
Tenderi vendos edhe kërkesa të konsiderueshme financiare dhe teknike për kompanitë pjesëmarrëse. Operatorët duhet të dëshmojnë se në të paktën një nga vitet 2023, 2024 ose 2025 kanë realizuar xhiro vjetore jo më të vogël se vlera e kontratës, pra 500 milionë lekë. Gjithashtu kërkohet një punësim mesatar prej të paktën 120 punonjësish gjatë tre muajve të fundit përpara hapjes së ofertave.
Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është 4 shtator 2026, ora 09:00.
