Projektet e përbashkëta mes universiteteve shqiptare dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian po krijojnë mundësi të reja jo vetëm për shkëmbime eksperiencash, por edhe për të diskutuar dhe ndarë praktikat më të mira.
Në kuadër të projektit “Commo VII”, një bashkëpunim mes Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Universitetit të Salentos, Lecce, Dr. Elton Musa përfaqësoi Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në UAMD, përmes mbajtjes së një sërë leksionesh të hapura me studentë dhe kolegë pedagogë të Universitetit të Salentos.
Dr. Musa, me një bazament solid akademik, prej vitesh pedagog i të drejtës tregtare në Universitetin e Durrësit, si edhe lektor i një sërë lëndësh të tjera mbajti një leksion të hapur me temë “Tregu i brendshëm i Bashkimit Evropian, sfida dhe zhvillime”.
Pedagogu i Departamentit Juridik në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike u ndal te disa nga konceptet kryesore, si tregu i brendshëm, tregu i përbashkët dhe tregu unik evropian. Gjithashtu ai foli për aspektet kryesore të tregut të brendshëm, duke u ndaluar në barrierat kryesore, si ato fizike, fiskale dhe teknike.
Gjithashtu, Dr. Musa shpjegoi për studentët disa nga konceptet e lëvizjes së lirë të mallrave dhe të njerëzve, duke i ilustruar ato me shembuj. Leksioni vijoi me diskutime dhe pyetje nga ata e studentëve.
Përvoja të tilla shërbejnë jo vetëm për të forcuar më tej bashkëpunimin mes universiteteve shqiptare dhe atyre të vendeve të BE, por edhe për të realizuar një shkëmbim të stafeve pedagogjike, për t’i diskutuar dhe parë çështjet e përbashkëta në optika e dimensione të ndryshme.
Pedagogu Musa ishte gjithashtu pjesë e delegacionit të drejtuar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të UAMD, Prof. Asoc. Dr. Linert Lirëza, në prani të një sërë pedagogësh të tjerë në vizitën e fundit në Universitetin e Valetës në Maltë, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy universiteteve. /ekofin.al


