Viti 2024 për vendin tonë po ecën si viti që lamë pas sa i përket numrit të turistëve. Referuar raportit më të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit, hartuar nga Zyra e OKB për Turizmin, vendi ynë cilësohet me rritjen më të fortë në Europë për 3-mujorin e parë të këtij viti. Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, rritja e turistëve të huaj është mëse dyfishuar, ose 129% më shumë. Rezultate të kënaqshme kanë regjistruar edhe Serbia me 43% më shumë turistë, apo Bullgaria me 38%.
Sipas të dhënave nga INSTAT në katër muajt e parë të vitit në Shqipëri hynë rreth 2,3 milionë vizitorë të huaj, ose 38% më shumë se viti paraardhës. Vetëm muaj prill regjistroi një fluks prej rreth 800 mijë shtetas të huaj, të cilët vizituan Shqipërinë. Ashtu sikurse ishte parashikuar ky vit ka nisur me këmbë të mbarë për turizmin dhe ekonominë e vendit në tërësi. Ndërsa viti që lamë pas u mbyll me rreth 10 milionë turistë, qeveria parashikon që në 2024 shifra e turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë të arrijë në 14 milionë.
