Sondazhi i Barometrit të Ballkanit 2025 i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, i zhvilluar me 1 216 biznese në të gjithë rajonin (përfshirë 200 biznese në Shqipëri) tregon se Shqipëria pozicionohet nën mesataren rajonale për sa i përket ndërmarrjes së hapave për të ulur ndikimin mjedisor gjatë 12 muajve të fundit, si në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit ashtu edhe në raport me dinamikat e evidentuara në vitin 2024.
Në vitin 2025, në nivel rajonal, 46 biznese raportojnë se kanë ndërmarrë disa hapa për të reduktuar ndikimin mjedisor, ndërsa 52 deklarojnë se nuk kanë marrë asnjë masë dhe 2 janë në kategorinë DK/refuzim.
Në Shqipëri, vetëm 37 biznese deklarojnë se kanë ndërmarrë hapa, 59 nuk kanë marrë asnjë masë dhe 5 kanë refuzuar ose nuk kanë dhënë përgjigje, duke e vendosur vendin pas Bosnjë dhe Hercegovinës me 45 biznese aktive dhe shumë më poshtë Malit të Zi me 61 dhe Serbisë me 72 biznese që kanë marrë masa konkrete. Kosova dhe Maqedonia e Veriut shfaqin nivele edhe më të ulëta se Shqipëria, me respektivisht 31 dhe 29 biznese që raportojnë hapa, por një përqindje shumë të lartë të bizneseve pa masa, 68 në Kosovë dhe 70 në Maqedoninë e Veriut.
Krahasimi me vitin 2024 tregon se struktura e masave të ndërmarra nga bizneset shqiptare ka qenë relativisht më aktive në disa drejtime, por sërish jo e mjaftueshme për të përmirësuar ndjeshëm pozicionin e përgjithshëm.
Në Barometrin 2024, 18 biznese në Shqipëri raportuan përdorim kryesisht të energjisë së rinovueshme, 44 kursim materialesh dhe minimizim të mbetjeve, 25 furnizim me materiale më të gjelbra, 16 shitje të mbetjeve ose reziduave tek kompani të tjera, 14 riciklim brenda kompanisë dhe 7 dizajnim produktesh më të lehta për t’u mirëmbajtur, përdorur ose riparuar, ndërkohë që 23 biznese nuk kishin marrë asnjë hap dhe 4 ishin në DK/refuzim.
Këto shifra e vendosnin Shqipërinë mbi mesataren rajonale të vitit 2024 për disa indikatorë, pasi në nivel rajonal raportoheshin 14 biznese për energji të rinovueshme, 33 për kursim materialesh, 16 për materiale më të gjelbra, 13 për shitje mbetjesh, 15 për riciklim dhe 7 për dizajnim më të qëndrueshëm, ndërsa 32 biznese nuk kishin marrë masa.
Në vitin 2025, duke u fokusuar vetëm tek bizneset që kanë ndërmarrë hapa, Shqipëria shfaq një intensitet relativisht të lartë të veprimeve konkrete krahasuar me rajonin, konkretisht, 35 biznese raportojnë përdorim kryesisht të energjisë së rinovueshme, 96 kursim materialesh dhe minimizim të mbetjeve, 70 furnizim me materiale më të gjelbra, 50 shitje të mbetjeve ose reziduave tek kompani të tjera, 49 riciklim me materiale ose mbetje nga brenda kompanisë dhe 76 dizajnim produktesh më të lehta për t’u mirëmbajtur, përdorur ose riparuar, pa asnjë rast DK/refuzim.
Këto shifra e tejkalojnë mesataren rajonale të vitit 2025, ku raportohen 29 biznese për energji të rinovueshme, 66 për kursim materialesh, 35 për materiale më të gjelbra, 26 për shitje mbetjesh, 40 për riciklim dhe 25 për dizajnim më të qëndrueshëm. Megjithatë, vende si Maqedonia e Veriut dhe Kosova shfaqin disa tregues më të lartë në kategori të caktuara, si kursimi i materialeve me 88 biznese në Maqedoninë e Veriut dhe 73 në Kosovë, apo furnizimi me materiale më të gjelbra me 72 në Maqedoninë e Veriut dhe 73 në Kosovë, ndërsa Serbia mbetet dukshëm pas me vetëm 6 biznese që përdorin energji të rinovueshme dhe 4 që furnizohen me materiale më të gjelbra.
Në tërësi, të dhënat tregojnë se Shqipëria, ndonëse ka një grup biznesesh relativisht aktiv dhe të angazhuar thellë në masa konkrete mjedisore, vazhdon të ketë një përqindje të lartë biznesesh që nuk ndërmarrin asnjë hap, duke e mbajtur vendin nën mesataren rajonale për përfshirjen e përgjithshme. Krahasimi mes 2024 dhe 2025 sugjeron se progresi në cilësinë dhe thellësinë e masave ekziston, por sfida kryesore mbetet zgjerimi i këtij angazhimi në një numër më të madh biznesesh, në mënyrë që Shqipëria të afrohet me performancën e vendeve më të avancuara të rajonit si Serbia dhe Mali i Zi./ekofin.al

