Perceptimi i bizneseve shqiptare lidhur me korrupsionin është në shifra më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Sondazhi i Barometrit të Ballkanit tregon se 32% e bizneseve shqiptare janë totalisht jo dakord me deklaratën se është e zakonshme për bizneset t’u japin “rryshfet” zyrtarëve për të zgjidhur punë. Kjo shifër është gati dyfish më pak se vitin e kaluar që ishte 75%, ndërkohë që 23% priren të mos jenë dakord dhe 27% e bizneseve priren të jenë dakord me deklaratën.
Kosova me 38% dhe Mali i zi 38% kryesojnë ekonomitë ballkanase që priren të jenë dakord se bizneset duhet të japin diçka nga xhepi për t’i pasur punët në vijë.
Megjithatë lidhur me pasjen dijeni se sa është vlera e rryshfetit që do të duhet të jepnin, 29% e shqiptarëve priren të jenë dakord, 24 % janë totalisht kundër dhe 24 % priren të mos jenë dakord që bizneset e dinë se çfarë duhet të dhurojnë.
Por për çfarë qëllimi do të jepnin “një dhuratë” bizneset të paktën njëherë në vit?
Taksat dhe tarifat administrative janë zgjedhja e parë e serbëve me 39% dhe shqiptarëve me 23%. Po kështu, “dhurata” për inspektimet e punës, mjedisit, sigurimet etj., rendit serbët me 47%, të ndjekur nga maqedonasit me 35%, boshnjakët dhe malazezët me 27% dhe kosovarët me 25%.
Megjithatë, të dhënat e vitit 2023 treguan se shqiptarët nuk do të jepnin asnjëherë “dhurata të tilla” me 86%, ndërsa 20% e malazezëve do t’i jepnin rrallë, ndërkohë që 16% e boshnjakëve do të dhuronte më shpesh.
Shqiptarët kryesojnë në besimin te efektiviteti i luftës kundër korrupsionit në biznes me 44%, të ndjekur nga kosovarët me 33% dhe malazezët dhe boshnjakët me 15% respektivisht.
Sondazhi gjithashtu tregoi se ndërmjetësimi nuk është një zgjidhje e ekonomive të Ballkanit dhe se përgjithësisht, maqedonasit me 75%, serbët me 65%, kosovarët me 65% dhe shqiptarët me 56% nuk kanë asnjë mosmarrëveshje për të zgjidhur. /ekofin.al
