Bankers Petroleum Albania ka reaguar sërish, duke shprehur këtë herë gjithë gadishmërinë për të zbatuar plotësisht vendimin e Arbitrazhit.
“Në përputhje të plotë me institucionet dhe autoritetet kombëtare, ne konfirmojmë gadishmërinë tonë për të zbatuar, pa rezerva, Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit( ICC) të datës 7 qershor 2024, të mbështetur nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë (Vendimi Nr. 479, i komunikuar më 1 korrik2025). Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses tënjë projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë,” thekson Bankers në një njoftim për shtyp.
Bankers thekson se po ndjek hetimet e nisura nga autoritetet shqiptare dhe synon gjithashtu të realizojë një vetë-hetim.
“Ne po ndjekim me vëmendje të sinqertë hetimet penale, të iniciuara nga autoritetet shqiptare më 2 korrik 2025, në lidhje me disa kolegë të respektuar dhe ish-punonjës.Gjatë gjithë këtij procesi, vazhdojmë të angazhohemi haptazi me të gjitha institucionet kompetente, të udhëhequr nga një frymë transparence, respekti të ndërsjellë dhe respektimi të ligjit.
Për shembull, nën drejtimin e Kryetarit tonë të Bordit Mbikëqyrës, planifikojmë të formojmë një ekip të jashtëm për të kryer një vetë-hetim të thellë për të gjithë periudhën, duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmë të ngushtë për autoritetet shqiptare,” thekson më tej Bankers, që kërkon edhe rivlerësim të masave të sigurisë për punonjësit.
Gjithashtu kompania bën me dije se po ndërmerr përmirësime teknologjike dhe se e sheh veten si një investitor dhe partner afatgjatë i Shqipërisë.
