Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, pasi në mbledhjen e mëparshme ndryshoi për herë të parë kursin në tre vjet, duke e ulur normën me 0.25 pikë përqindje.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha në konferencën për shtyp pas marrjes së vendimit, se zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet e bankës.
“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023. Trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”, tha Sejko.
Sejko ka sqaruar arsyet që motivuan në vendimin e sotshëm të politikës monetare.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua thuajse tërësisht nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse.
Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pasqyroi rritjen e konsumit familjar, të investimeve të sektorit privat dhe të rritjes së eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave shënoi rënie, ndërsa politika fiskale vijoi të ndjekë një kurs konsolidimi.
Rritja e pagave në sektorin privat gjeneron më shumë të ardhura për familjet shqiptare, por ajo vijon të ushtrojë presion mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e konsumit.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
