Banka e Shqipërisë, ashtu siç ishte paralajmëruar, bleu një sasi rekord prej 933 milionë euro, përmes operacioneve të saj në treg gjatë vitit të kaluar. Në njoftimin zyrtar, BSH bën me dije se gjatë vitit 2024, pa marrë në konsideratë datën e shlyerjes, janë blerë nga bankat e nivelit të dytë 932.80 milionë euro, prej të cilave 649 milionë euro kanë qenë me objektiv ruajtjen e nivelit dysheme.
Pas uljes së injektimeve të gjata në tremujorin e tretë deri në 15.30 miliardë lekë nga 21.30 miliardë lekë, në tremujorin e katërt, Banka e Shqipërisë maturoi të gjitha injektimet e gjata në reflektim të pritjeve për rënie të mungesës drejt fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025. Edhe gjatë këtij tremujori, është vënë re se, pavarësisht rritjes së mungesës javore në zonën 30-40 miliardë lekë, sistemi bankar ka vijuar të funksionojë normalisht, informon BSH.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti.
Injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë ka rënë në 50.22 miliardë lekë pas vlerave të larta prej mesatarisht 59.49 miliardë lekë të shënuara në tremujorin e mëparshëm.
Rënia e mungesës është vërejtur deri në mes të muajit nëntor kur është prekur niveli më i ulët prej 38.10 miliardë lekë dhe për shkak të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, uljes së gjendjes së llogarisë së Ministrisë së Financave me rreth 10 miliardë lekë dhe rritjes së parasë në qarkullim e cila rezultonte në nivele të ulëta.
Në pjesën e dytë të periudhës, ndërsa efekti pozitiv i ndërhyrjeve në tregun valutor erdhi në rënie dhe në kushtet kur shpenzimet e qeverisë u rritën vetëm në javën e fundit të vitit, rritja e parasë në qarkullim bëri që mungesa të rritet në afër 60 miliardë lekë.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore kanë ndikuar në rritjen e likuiditetit të sistemit bankar me 36.80 miliardë lekë, shifër kjo më e lartë krahasuar me tremujori i mëparshëm, ku ky tregues rezultonte në nivelin 28.30 miliardë lekë.
Ndërkohë, rritja e parasë në qarkullim ka kontribuar në uljen e likuiditetit të sistemit bankar me 22.20 miliardë lekë. /ekofin.al