Aksesi i shqiptarëve në llogaritë financiare është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, por përdorimi i tyre për pagesa digjitale mbetet i kufizuar. Vetëm rreth 40–45% e të rriturve që zotërojnë një llogari financiare kanë kryer ose marrë një pagesë digjitale gjatë vitit të mëparshëm, sipas të dhënave të referuara nga Banka Botërore.
Sipas raportit, aksesi në llogaritë e pagesave është afërsisht dyfishuar gjatë dhjetë viteve të fundit, duke shënuar përparim në përfshirjen financiare të popullsisë. Megjithatë, ky zgjerim nuk është shoqëruar me përdorim po aq të përhapur të pagesave elektronike.
Të dhënat e bazës Global Findex 2025, të referuara në raport, tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e personave me llogari financiare nuk kanë kryer ose marrë pagesa digjitale gjatë periudhës së matur.
Kjo gjetje tregon se zotërimi i një llogarie nuk nënkupton domosdoshmërisht përdorimin e saj për transaksione elektronike.

Digjitalizimi i shërbimeve publike përballë përdorimit të cash-it
Kontrasti bëhet më i dukshëm në raport me zhvillimin e shërbimeve publike elektronike.
Shqipëria ofron përmes platformës e-Albania mbi 95% të shërbimeve publike dhe ka krijuar një infrastrukturë të gjerë për shkëmbimin elektronik të informacionit ndërmjet institucioneve.
Por, ndërsa shumë procedura administrative kryhen online, përdorimi i shërbimeve financiare digjitale nga qytetarët mbetet më i kufizuar.
Banka Botërore vëren se kjo situatë dëshmon njëkohësisht për zgjerimin e aksesit në shërbimet financiare dhe për vështirësitë që vazhdojnë në përdorimin e tyre.
Përhapja e pagesave digjitale ka rëndësi edhe për funksionimin e shërbimeve publike, pasi mund të mundësojë kryerjen e më shumë procedurave nga fillimi në fund përmes internetit.
Në këtë drejtim, zhvillimi i identitetit digjital dhe i sistemeve të verifikimit elektronik mund të lehtësojë integrimin e mëtejshëm të shërbimeve financiare me platformat publike./ekofin.al
