Infrastruktura e dobët, siguria në rrugë, si dhe pesha që mban transporti rrugor në Shqipëri janë disa nga çështjet e identifikuara për zgjidhje në raportin e Bankës Botërore.
Sipas raportit “Inputet e transportit në Ballkanin Perëndimor, Narrativa e Rritjes së Gjelbër” infrastruktura e varfër e rrugëve është një problem madhor dhe për këtë nevojiten investime.
Në Shqipëri, rreziku nga përmbytjet dhe ndryshimet klimatike të prekshme mund ta përkeqësojnë situatën veçanërisht në veri të vendit. Dëmet nga përmbytjet e vitit 2002 kaluan 23 milionë dollarë amerikanë, ndërsa përmbytjet e vitit 2010 në lumin Drin rezultuan në të paktën 30 milionë dollarë dëme. Përmbytjet urbane janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten, pasi sistemet e ujit të stuhive urbane nuk arrijnë të përballojnë reshjet më intensive.
Shkodra është veçanërisht në rrezik të lartë nga përmbytjet e kombinuara lumore dhe urbane. Përmbytjet përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për rrjetin e transportit dhe tregtisë. Vlerësohet se humbjet mesatare vjetore nga përmbytjet përgjatë dy korridoreve rrugore më kritike (Tiranë-Durrës dhe Durrës-Vlorë) arrijnë deri në 15 milionë dollarë. Urat dhe kanalet përgjatë rrjetit kryesor rrugor vlerësohet të pësojnë mbi 20 milionë dollarë amerikanë në humbje vjetore nga përmbytjet.
Korridore të tjera rrugore janë vulnerabël dhe dhe do të rezultonin në kostot e mundshme të mbylljes së rrugës nëse një prej atyre korridoreve preket. Investimi në infrastrukturën e transportit përbënte vetëm 1.29 për qind të PBB-së në Shqipëri. (Eurostat 2021)
Siguria rrugore
Për më tepër, çështjet e sigurisë rrugore në vendet e Ballkanit Perëndimor reduktojnë cilësinë e aksesit dhe mbeten një faktor kritik për zhvillimin e qëndrueshëm, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të mirëqenies dhe ekonomike. Megjithatë, normat e vdekjeve në rrugë në të gjashtë vendet në 2019 mbeten mbi normën e BE-së prej 55 vdekjesh për milionë banorë.
Për shembull, në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi, barra ekonomike e dëmtimeve rrugore arrin në gati 0.1 për qind të PBB-së totale çdo vit (përkatësisht e vlerësuar në 274, 378 dhe 832 milionë dollarë në 2010).
Pesha e transportit rrugor
Në vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillimi gjatë dy dekadave të fundit ka ekspozuar një çekuilibër në investimet në infrastrukturë, duke favorizuar transportin rrugor. Një ndryshim në investime do të lejonte të përafrohet më mirë me Strategjinë e Rritjes së Gjelbër të BE-së dhe të kontribuonte në dekarbonizimin e rajonit.
Sipas raportit, sektori i rrugëve mban peshën më të madhe të transportit. Në Shqipëri rrugët mbartin 98 % të lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave, ndërsa transporti i hekurudhës është ende i dobët.
Pa veprime për reduktimin e varësisë nga transporti rrugor dhe inkurajimin e ndryshimit të modalitetit për mënyra më të qëndrueshme të udhëtimit ndërqytetës, emetimet e karbonit në rajon do të vazhdojnë të rriten dhe kundërshtojnë angazhimet e fundit për klimën, përfundon raporti./ekofin.al
