Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, teksa rajoni nis të rimëkëmbet nga pasojat e pasigurisë globale dhe të inflacionit të lartë. Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, rritja e qëndrueshme do të varet mbi të gjitha nga krijimi i vendeve cilësore të punës dhe përfshirja më e gjerë e fuqisë punëtore, veçanërisht e grave dhe të rinjve.
Për Shqipërinë, raporti thekson se rritja ekonomike po mbështetet nga turizmi, ndërtimi dhe investimet publike, por paralajmëron për nevojën e thellimit të reformave strukturore në tregun e punës, për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për të ndalur emigracionin e të rinjve të kualifikuar.
Perspektiva e rritjes: ngadalësim në 2025, përshpejtim më pas
Në vitin 2025, ekonomitë e rajonit po përballen me një ngadalësim të përkohshëm të rritjes, për shkak të konsumit të ngadalësuar dhe rënies së besimit të biznesit. Megjithatë, deficiti buxhetor mbetet nën 3%, ndërsa borxhi publik ndjek një trajektore rënëse, duke reflektuar disiplinë fiskale në shumicën e vendeve.
Rritja mesatare e kombinuar e gjashtë vendeve – Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – parashikohet në 3.0% për 2025, me një rritje graduale në 3.1% në 2026 dhe 3.6% në 2027.
Në rastin e Shqipërisë, Banka Botërore vlerëson një rritje ekonomike prej 3.7% këtë vit, e rishikuar me +0.5% më shumë krahasuar me parashikimin e pranverës, që do të stabilizohet në 3.5% në 2026 dhe 2027, duke reflektuar efektet e investimeve publike dhe private, si dhe rritjen e sektorit të shërbimeve.
Një paradoks rajonal: mungesë fuqie punëtore dhe papunësi e lartë
Raporti thekson paradoksin e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor: mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë, ndërsa papunësia mbetet mbi 10%. Vetëm 55% e popullsisë në moshë pune merr pjesë aktivisht në tregun e punës, me përfshirje veçanërisht të ulët të grave dhe të rinjve.
“Ballkani Perëndimor po përparon në drejtim të ngushtimit të hendekut me ekonomitë e BE-së, por rritja aktuale është ende e pamjaftueshme për të përmbushur aspiratat e qytetarëve”, – thekson Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Sfida thelbësore për rajonin është krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës përmes nxitjes së pjesëmarrjes në tregun e punës, përmirësimit të aftësive dhe përdorimit të teknologjive digjitale.”
Sipas raportit, popullsia në moshë pune në Ballkanin Perëndimor pritet të bjerë me gati 20% deri në vitin 2050, duke krijuar një mungesë të mundshme prej 190 mijë punëtorësh brenda pesë viteve të ardhshme nëse nuk ndryshon dinamika aktuale.
Reformat e domosdoshme: arsim, qeverisje dhe kapital privat
Banka Botërore thekson tri drejtime kryesore për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe për të ndërtuar një treg pune më gjithëpërfshirës:
Së pari: Investimi në infrastrukturë dhe kapital njerëzor – Përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe transportit për të lehtësuar lidhjen ndërmjet bizneseve dhe punonjësve. Këto investime do të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë rajonale.
Së dyti: Forcimi i qeverisjes dhe reformimi i ndërmarrjeve shtetërore – Krijimi i një mjedisi rregullator të parashikueshëm dhe mbështetja e bizneseve inovative dhe startup-eve do të nxisë zhvillimin e sektorit privat, i cili është motori kryesor i punësimit.
Së treti: Mobilizimi i kapitalit privat dhe përdorimi i teknologjive të gjelbra dhe digjitale – Banka Botërore inkurajon partneritetet publike-private dhe zhvillimin e mekanizmave të garancive, sigurimeve dhe financimeve që mbështesin bizneset në tranzicionin e gjelbër dhe digjital. /ekofin.al

