Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve për financimin e projektit të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është një tjetër hap i rëndësishëm në zhvillimin e transportit hekurudhor.
Zv.kryeministrja informoi se edhe segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës është në hapat e fundit të ndërtimit dhe do të dorëzohet brenda këtij viti, duke i lënë vitit 2026 plotësimin e komponentëve të tjerë, atë të elektrifikimit të saj dhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë.
Njëkohësisht, Balluku tha se gjatë vitit 2025 nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit, që parashikohet të përfundojë në vitin 2029.
Balluku tha se shumë shpejt do të prezantohet edhe projekti i Hekurudhës së Kombit. “Në ditët në vijim do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e Kosovës. Bëhet fjalë për Hekurudhën e Kombit që do të prezantohet në Shkodër, ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, deklaroi Balluku.
Brenda vitit, shtoi ajo, do të kemi një projekt të plotë të segmentit hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, që parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028. Ky segment, vuri në dukje Balluku, do të pasohet edhe nga segmenti Rrogozhinë -Pogradec që do të dorëzohet në 2029-ën.