Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot punimet në kantierin e autostradës Tiranë–Durrës, një nga akset më të rëndësishme dhe më të ngarkuara të vendit, që po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë për ta kthyer në një autostradë moderne me standarde evropiane.
Gjatë inspektimit, Balluku deklaroi se punimet po ecin me ritme të shpejta dhe se loti i parë i projektit pritet të hapet për qarkullim deri në fund të dhjetorit, duke i paraprirë afatit kontraktual të parashikuar për shtatorin 2026.
“Ndodhemi në një nga kantieret që po ecin më mirë në gjithë Shqipërinë, që është kantieri i autostradës Tiranë–Durrës. Faza e parë e punimeve ka arritur tashmë 65% ecuri, ndërsa faza e dytë është në 80%. Në segmentin e parë prej 6 kilometrash, nga Casa Italia deri te mbikalimi i Kasharit, autostrada po shndërrohet në një rrugë të tipit A, me kurorë 32.5 metra të gjerë dhe me tre korsi për çdo kah, plus korsinë e emergjencës, duke e bërë me katër korsi në secilën drejtim,” – u shpreh Balluku.
Sipas ministres, përveç zgjerimit dhe përmirësimit të strukturës rrugore, projekti përfshin edhe ndërhyrje në sistemin e ndriçimit, sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, në mënyrë që autostrada të përmbushë të gjitha parametrat e një korridori modern tranzit që lidh kryeqytetin me portin kryesor të vendit.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur përgatitjet për gjelbërimin dhe arredimin urban të të gjithë gjatësisë së autostradës, duke e kthyer atë në një hapësirë funksionale dhe estetikisht të integruar me hyrjen e re të Tiranës.
“Po punohet paralelisht edhe për gjelbërimin dhe për një ndryshim estetik brenda tuneleve të Shqiponjës, të cilat janë hyrja kryesore e kryeqytetit. Qëllimi është që ky aks, që për mijëra qytetarë dhe vizitorë përfaqëson ‘portën hyrëse’ të Shqipërisë, të ketë pamjen dhe standardet që i takojnë një kryeqyteti europian,” – shtoi Balluku.
Autostrada Tiranë–Durrës, që përshkohet mesatarisht nga mbi 50 mijë automjete në ditë, është një nga arteriet më të vjetra dhe më strategjike të infrastrukturës shqiptare. Projekti aktual përbën ndërhyrjen më të madhe që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve 2000, dhe synon të lehtësojë ndjeshëm trafikun, të rrisë sigurinë rrugore dhe të përmirësojë lidhjen ekonomike mes Tiranës, Durrësit dhe gjithë korridorit perëndimor të vendit.
