Grupi shqiptar BALFIN po zgjeron praninë e tij ndërkombëtare në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke hyrë me dy projekte të reja rezidenciale në tregun kanadez. Investimet do të realizohen në Vancouver dhe Langley, dy zona në provincën British Columbia, dhe parashikojnë ndërtimin e gjithsej 143 njësive të banimit.
Lajmi është bërë i ditur nga themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, Samir Mane, përmes një postimi në rrjetin profesional LinkedIn.
Dy projektet përfaqësojnë një tjetër hap në strategjinë e zgjerimit ndërkombëtar të grupit, i cili vitet e fundit ka shtrirë aktivitetin përtej tregjeve tradicionale të Ballkanit Perëndimor, duke investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Sipas informacionit të publikuar, njëri prej projekteve do të zhvillohet në Vancouver, një nga tregjet më të rëndësishme të pasurive të paluajtshme në Kanada, ndërsa projekti tjetër do të realizohet në Langley, pjesë e zonës metropolitane të Vancouverit.
Megjithatë, ende nuk janë bërë publike detaje mbi sipërfaqet e ndërtimit, strukturën e njësive të banimit, afatet e realizimit apo vlerën financiare të investimeve.
Hyrja në tregun kanadez të zhvillimit rezidencial shënon një tjetër etapë në ndërkombëtarizimin e BALFIN Group, një prej grupeve më të mëdha shqiptare të biznesit, me një portofol të diversifikuar aktivitetesh.
Grupi është i pranishëm në sektorë si zhvillimi i pasurive të paluajtshme, tregtia me shumicë dhe pakicë, bankat, turizmi, energjia, logjistika dhe arsimi.
Aktualisht, aktiviteti i BALFIN shtrihet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Austri, Zvicër, Holandë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Zhvillimi i projekteve rezidenciale në Kanada përfaqëson një zgjerim të mëtejshëm të investimeve në një treg jashtë rajonit, duke diversifikuar gjeografikisht portofolin e grupit.
Tregu kanadez i pasurive të paluajtshme, veçanërisht zona e Vancouverit, karakterizohet nga çmime relativisht të larta të banesave dhe kufizime në përballueshmërinë e tyre, faktorë që krijojnë një mjedis me mundësi, por edhe me sfida për zhvilluesit e rinj.
Paralelisht me projektet në Kanada, BALFIN po vijon zgjerimin ndërkombëtar edhe në sektorin e tregtisë me pakicë.
Në fillim të kësaj jave, grupi njoftoi zgjerimin e marrëveshjes së ekskluzivitetit me rrjetin danez Flying Tiger Copenhagen, duke përfshirë tre tregje të reja evropiane: Rumaninë, Bullgarinë dhe Kroacinë.
Marrëveshja e re e shtrin bashkëpunimin përtej Ballkanit Perëndimor dhe forcon praninë e grupit në tregjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. /ekofin.al
