Grupi shqiptar BALFIN, në pronësi të biznesmenit Samir Mane, po zgjeron më tej investimet në tregun gjerman të pasurive të paluajtshme. Pas blerjes së godinës historike Tietz në Mynih, grupi ka arritur marrëveshje për blerjen e dy pronave të tjera të rëndësishme tregtare, ku operojnë dyqanet Galeria, në Hanover dhe Bonn.
Sipas raportimeve në median gjermane, të konsultuara nga ekofin.al, BALFIN ka siguruar pronat e Galeria në Ernst-August-Platz 5 në Hanover dhe Remigiusstraße 20-24 në Bonn, të cilat ishin pjesë e gjigandit të falimentuar të pasurive të paluajtshme Signa.
Nëse transaksionet konfirmohen përfundimisht, ato do të përfaqësonin një tjetër hap të rëndësishëm të BALFIN në tregun gjerman, vetëm pak kohë pasi grupi kishte bërë të ditura ambiciet për zgjerimin e investimeve në pasuri të paluajtshme në Gjermani dhe Austri.
Procesi i shitjes së tre pronave Galeria në Hanover, Bonn dhe Mannheim ishte nisur në korrik të vitit të kaluar nga kompania e pasurive të paluajtshme Lührmann. Sipas IZ, marrëveshjet tashmë duket se janë finalizuar për Hanoverin dhe Bonnin, ndërsa prona e tretë, në Paradeplatz 1 në Mannheim, nuk është blerë nga BALFIN dhe procesi i shitjes së saj vazhdon.
As BALFIN dhe as administratori i falimentimit nuk kishin konfirmuar publikisht transaksionin deri në publikimin e raportimit të medias gjermane.
Një element që mbështet ecurinë e procesit të shitjes janë edhe procedurat e falimentimit. Sipas portalit zyrtar gjerman për njoftimet e falimentimit, për më 26 gusht ishin planifikuar mbledhje të kreditorëve për kompanitë që zotërojnë pronat në Bonn dhe Hanover, ku do të votohej për miratimin e një marrëveshjeje për shitjen e pasurive të paluajtshme.
Situata paraqitet ndryshe për Mannheim, ku burime të cituara nga Immobilien Zeitung thonë se ende nuk është gjetur një blerës.
Dy prona me vlerë rreth 220 milionë euro në 2024
Përmasat e investimit potencial bëhen më të qarta nga vlerësimet e mëparshme të dy pronave.
Sipas të dhënave të analizuara nga IZ Research, prona në Hanover ishte vlerësuar në 124 milionë euro në fund të marsit 2024, ndërsa ajo në Bonn në rreth 94 milionë euro. Së bashku, vlera e tyre në atë periudhë arrinte në afro 220 milionë euro.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se BALFIN ka paguar një shumë të tillë për blerjen. Çmimi i transaksioneve nuk është bërë publik dhe, sipas burimeve të tregut të cituara nga media gjermane, banka kreditore Helaba ishte e gatshme të pranonte ulje të konsiderueshme për shitjen e pronave.
Madje, BALFIN raportohet se kishte shfaqur interes për pronën në Hanover që më shumë se një vit më parë. Oferta e bërë në atë periudhë thuhet se ishte ndjeshëm më e ulët se ekspozimi financiar që Helaba kishte ndaj pronës.
Banka gjermane kishte financuar tre godinat Galeria për kompanitë e Signa-s përpara kolapsit të grupit të themeluar nga René Benko.
Në fund të nëntorit 2023, kur nisi vala e falimentimeve të Signa-s, detyrimet e mbetura nga financimet kryesore për tre pronat llogariteshin në rreth 180 milionë euro. Nga këto, 76.5 milionë euro i përkisnin pronës në Hanover, 58.2 milionë euro asaj në Bonn dhe 45.2 milionë euro godinës në Mannheim.
Kjo do të thotë se vetëm për dy pronat që raportohet se po merren nga BALFIN, ekspozimi i Helaba-s arrinte në rreth 134.7 milionë euro.
Prona strategjike në qendër të qyteteve
Të dyja godinat që raportohet se po blihen nga grupi shqiptar ndodhen në zona qendrore dhe me fluks të lartë tregtar.
Prona e Hanoverit është veçanërisht e madhe. Sipas të dhënave të IZ Research, ajo ka afro 38 mijë metra katrorë sipërfaqe të dhënshme me qira dhe pothuajse 51 mijë metra katrorë sipërfaqe totale.
Në fund të marsit 2024, vlera e tregut e saj llogaritej në 124 milionë euro, ndërsa vetëm gjashtë muaj më parë ishte vlerësuar në 171.4 milionë euro, duke reflektuar edhe rënien e fortë të vlerësimeve që shoqëroi krizën e Signa-s dhe presionin mbi tregun gjerman të pasurive tregtare.
Galeria në Hanover ka gjithashtu rëndësi të veçantë për tregtinë e qytetit, pasi është dyqani i fundit i mbetur nga tre lokacionet që Galeria kishte dikur në kryeqytetin e Saksonisë së Poshtme.
Edhe pronat në Bonn dhe Mannheim konsiderohen ndër lokacionet më të mira të rrjetit Galeria. Deri tani ato nuk janë përfshirë në listat kryesore të mbylljeve të dyqaneve të kompanisë.
Kur nisi procesin e shitjes, Lührmann i përshkroi të tre pronat si ndërtesa të vendosura në zona qendrore me frekuentim të lartë dhe me potencial të konsiderueshëm zhvillimi.
BALFIN shton ekspozimin në tregun gjerman
Blerja e raportuar e dy pronave vjen pas një tjetër transaksioni të rëndësishëm të BALFIN në Gjermani: godinës historike Tietz në Mynih.
Lëvizjet tregojnë një strategji gjithnjë e më aktive të grupit shqiptar për të shfrytëzuar mundësitë e krijuara në tregun gjerman të pasurive të paluajtshme, veçanërisht pas krizës së Signa-s, e cila ka nxjerrë në shitje një numër asetesh të rëndësishme në lokacione premium.
BALFIN, i cili u zgjerua fillimisht përmes aktivitetit në shitjen me pakicë dhe më pas në qendra tregtare, banka, turizëm dhe pasuri të paluajtshme, ka sinjalizuar gjatë këtij viti se Gjermania dhe Austria janë ndër tregjet ku synon të rrisë praninë në sektorin e real estate.
Transaksionet në Hanover dhe Bonn, nëse konfirmohen zyrtarisht, do ta forconin ndjeshëm këtë pozicion.
Në të njëjtën kohë, ato tregojnë edhe një ndryshim të përmasave të investimeve ndërkombëtare të kapitalit shqiptar: nga zgjerimi kryesisht në Ballkan drejt blerjes së pronave premium në disa prej tregjeve më të mëdha të Europës.
Për momentin, megjithatë, mbetet e panjohur shuma që BALFIN do të paguajë për dy godinat. Vlerësimet historike prej rreth 220 milionë eurosh për Hanoverin dhe Bonnin tregojnë përmasat e aseteve, por jo çmimin e marrëveshjes, i cili, sipas raportimeve nga tregu gjerman, mund të jetë dukshëm më i ulët.


