Zyrtarët publikë që nuk bashkëpunojnë me Avokaturën e Shtetit gjatë proceseve gjyqësore do të përballen me gjoba që arrijnë deri në 1 milion lekë. Ky është një nga ndryshimet kryesore që sjell ligji nr. 85/2026 për Avokaturën e Shtetit, i cili forcon mekanizmat për mbrojtjen e interesave pasurorë të shtetit, zgjeron përfaqësimin e pushtetit vendor dhe hap rrugë të reja për rekrutimin e avokatëve të shtetit.
Deri tani, nëse një institucion nuk i jepte Avokaturës së Shtetit brenda afatit informacionet dhe dokumentacionin e kërkuar, Avokati i Përgjithshëm njoftonte Kryeministrin. Vetëm në rastet kur mosveprimi sillte pasoja, personi përgjegjës mund të mbante përgjegjësi civile dhe institucioni kishte të drejtë të ngrinte padi regresi.
Ligji i ri vendos për herë të parë masa konkrete administrative. Mosparaqitja brenda 5 ditëve e dokumentacionit, shpjegimeve, informacioneve ose qëndrimit institucional të nevojshëm për mbrojtjen e çështjes dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. E njëjta masë zbatohet për mosdepozitimin ose depozitimin e pasaktë të informacionit dhe akteve procedurale pranë gjykatës.
Gjoba rritet ndjeshëm për rastet kur titullari ose nëpunësi përgjegjës nuk paraqitet ose refuzon pa arsye të marrë pjesë në procesin gjyqësor, nuk jep shpjegime, nuk nënshkruan ose miraton qëndrimin institucional kur kërkohet nga Avokatura, apo kryen me dashje veprime ose mosveprime që pengojnë seriozisht mbrojtjen e interesave pasurorë të shtetit. Në këto raste masa shkon nga 500 mijë deri në 1 milion lekë. Gjobat vendosen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe derdhen në buxhetin e shtetit.
Përgjegjësia administrative nuk përjashton atë civile. Nëse mosveprimi apo veprimi i zyrtarit ka sjellë pasoja për interesat pasurorë të shtetit, titullari dhe nëpunësi përgjegjës mund të mbajnë edhe përgjegjësi civile, ndërsa institucioni ka të drejtë të kërkojë regres në gjykatë. Masa administrative mund të ankimohet në gjykatën administrative të shkallës së parë.
Avokatura merr drejtpërdrejt përfaqësimin e pushtetit vendor
Ndryshim i rëndësishëm bëhet edhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ligji aktual parashikon se Avokatura e Shtetit u ofron njësive vendore asistencë juridike sipas kushteve të përcaktuara në ligj ose përmes marrëveshjeve të posaçme.
Me ndryshimet e reja, Avokatura do të përfaqësojë dhe mbrojë drejtpërdrejt interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa autorizim të posaçëm kur këto organe janë palë në proces. Vetëm në çështje të veçanta, sipas kritereve që do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, Avokati i Përgjithshëm mund t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit vetë organit vendor.
Kjo e ndryshon ndjeshëm raportin me bashkitë dhe organet e tjera vendore, duke kaluar nga një asistencë juridike e lidhur edhe me marrëveshje të posaçme në një kompetencë të drejtpërdrejtë ligjore për përfaqësimin e tyre në gjykatë.
Ligji ndryshon mënyrën e rekrutimit të avokatëve të shtetit, duke ruajtur si rrugë kryesore programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, por duke shtuar mundësinë e konkurrimit edhe për personat me mbi 7 vjet përvojë si ndihmës ligjorë të avokatit të shtetit dhe për profesionistët me mbi 10 vjet përvojë si avokatë, profesorë, lektorë të së drejtës ose juristë në administratën qendrore. Emërimet nga këto kategori nuk mund të kalojnë 50% të vendeve vakante vjetore, përveç rasteve kur vendet e mbetura nuk plotësohen përmes Magjistraturës. Njëkohësisht krijohet pozicioni i ndihmësit ligjor, për të cilin kërkohet diplomë e ciklit të dytë në drejtësi dhe të paktën një vit përvojë juridike; këta punonjës do të analizojnë praktikën gjyqësore, përpunojnë dosjet dhe përgatisin mbrojtje standarde, ndërsa pas më shumë se 7 vjetësh përvojë mund të konkurrojnë për avokat shteti.
Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare nisin më 1 janar 2027./ekofin.al
