E drejta për të themeluar dhe për t’u anëtarësuar në sindikata, e garantuar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Kodi i Punës, është cenuar në mënyrë të hapur në Gardën e Republikës së Shqipërisë. Kështu konstaton Avokati i Popullit, pas shqyrtimit të një ankese të paraqitur nga Kryetari i Sindikatës së Gardës, që raportonte për presione dhe ndëshkime të padrejta ndaj anëtarëve themelues të sindikatës së re të këtij institucioni.
Më 20 shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi regjistrimin e “Sindikatës së Gardës së Republikës së Shqipërisë” si person juridik, duke e njohur zyrtarisht këtë organizatë. Pavarësisht kësaj vendimmarrjeje të formës së prerë, drejtues të Gardës kanë ushtruar presion ndaj 21 punonjësve themelues të sindikatës, përfshirë kërcënime për largim nga puna dhe vendosjen e masave disiplinore, vetëm për shkak të përfshirjes së tyre në veprimtari sindikale.
Avokati i Popullit thekson se një qëndrim i tillë përbën shkelje të hapur të të drejtave themelore të njeriut dhe të punonjësve, të sanksionuara në nenin 50 të Kushtetutës, si dhe në nenet 10 dhe 176-187 të Kodit të Punës, që garantojnë krijimin dhe funksionimin e lirë të organizatave sindikale pa ndërhyrje nga punëdhënësit apo organet shtetërore. Po ashtu, ligji nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” nuk përmban asnjë ndalim për krijimin e sindikatave apo për pjesëmarrjen e punonjësve të saj në veprimtari sindikale.
Si pasojë, Avokati i Popullit ka adresuar një rekomandim zyrtar ndaj Gardës së Republikës, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi pengues ndaj anëtarëve themelues të sindikatës si dhe shfuqizimin e masave disiplinore të vendosura ndaj tyre, rekomandim i cili është pranuar nga Garda.
Përveç kësaj, Avokati i Popullit i është drejtuar edhe Këshillit të Ministrave me një kërkesë për rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Gardës, të miratuar me VKM nr. 777, datë 15.12.2021. Konkretisht, është kërkuar heqja e fjalës “sindikale” nga pika që u ndalon punonjësve përfshirjen në veprimtari të tilla, pasi bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ligjore. Sipas raportit, kjo kërkesë nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare.
Ky rast ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të punonjësve të strukturave shtetërore dhe nënvizon nevojën për veprim të koordinuar institucional për të siguruar mbrojtjen efektive të të drejtave sindikale në vend. /ekofin.al
