Në Portin e Durrësit gjatë vitit 2023 janë përpunuar 155 anije konteinerike, të cilat kanë transportuar mbi 184 mijë njësi kontejnerike me mallra të ndryshme.
Referuar të dhënave statistikore të Autoritetit Portual Durrës, volumet e përpunimit të njësive kontejnerike për vitin 2023 kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në masën 38 %, në raport krahasimor me vitin paraardhës.
Gjatë vitit që lamë pas, në terminalin e kontejnerëve, anijet kanë sjellë 92,100 TEU, ndërsa 91,917 TEU janë nisur për eksport drejt porteve të huaja, duke shënuar kështu një rritje prej 51,052 TEU më shumë se janar-dhjetori 2022.
Sipas shifrave analitike të APD-së, për periudhën progresive 2019-2023, sektori i konteinerëve ka njohur një rritje mesatare në masën 7 %, ndërkohë që përgjatë të njëjtës periudhë janë përpunuar në total 8,706,998 tonë mallra me kontejnerë.
“Kjo rritje e volumeve të përpunimit në kryeqendrën portuale të vendit konfirmon edhe njëherë vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano, i cili do të rrisë ndjeshëm hapësirat dhe kapacitetet e përpunimit të mallrave, duke sjellë një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare por edhe në gravitetin që infrastruktura portuale ka në ekonominë kombëtare dhe atë rajonale”, bën të ditur Autoriteti Portual Durrës.
