Procesi i transparencës mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe mekanizmat e drejtësisë tranzicionale në Shqipëri po përballet me një sërë pengesash ligjore dhe institucionale, sipas raportit vjetor 2025 të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Problematikat kryesore lidhen me vonesat në deklasifikim, mungesën e koordinimit ndërinstitucional, boshllëqet në legjislacion dhe pengesat në dëmshpërblimin e plotë të ish-të përndjekurve politikë.
Një nga çështjet më kritike mbetet ngadalësimi i procesit të deklasifikimit, i cili prej vitit 2017 kishte avancuar në mënyrë masive në zbatim të ligjit nr. 45/2015. Ndryshimet ligjore të viteve 2022 dhe 2023 synuan ta lehtësonin këtë proces, duke parashikuar deklasifikimin pothuajse automatik të dokumenteve për periudhën 29 nëntor 1944 – 2 korrik 1991.
Megjithatë, hyrja në fuqi e VKM-së nr. 822/2024, e miratuar pa konsultim me AIDSSH, ka sjellë komplikime procedurale, duke kërkuar përfshirjen e institucioneve të tjera edhe kur ato nuk ekzistojnë më ose nuk kanë lidhje direkte me dokumentet.
Si pasojë, procesi është ngadalësuar ndjeshëm, pasi për çdo rast kërkohet edhe opinioni i SHISH, duke shtuar kohën e shqyrtimit, edhe në raste kur dokumentet nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Autoriteti ka kërkuar ndërhyrje nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave për harmonizimin e ligjeve nr. 45/2015 dhe nr. 10/2023, si dhe për rishikimin e VKM-së, në mënyrë që procesi të vijojë sipas një praktike më efikase, të ngjashme me atë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Edhe në fushën e arkivave Autoriteti përballet me pengesa. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Arkivat” nga 1 janari 2025, fondet e Ministrisë së Brendshme kaluan në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, por deri në vitin 2026 këto fonde nuk janë transferuar ende fizikisht. Kjo situatë ka krijuar pengesa serioze për aksesin dhe përdorimin e dokumenteve, duke çuar në vendimmarrje të paplota dhe duke cenuar besueshmërinë e institucionit. AIDSSH kërkon ndërhyrje për grumbullimin dhe kalimin nën administrim të plotë të këtyre fondeve.
Një tjetër shqetësim lidhet me legjislacionin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Autoriteti evidenton boshllëqe në ligjin nr. 9831/2007, veçanërisht për kategoritë që nuk kanë dokumentacion zyrtar, si personat e internuar pa akte, të lindurit apo të miturit në internim, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara. Mungesa e dokumenteve për këto kategori i përjashton ato nga përfitimet, ndërsa kuadri aktual nuk njeh si vjetërsi pune periudhën e internimit për personat nën 15 vjeç. AIDSSH sugjeron ndryshime ligjore për të mundësuar dëmshpërblim, qoftë edhe simbolik, për këto kategori, si dhe rishikim të masës së kompensimit për familjarët e viktimave, duke e rritur atë deri në nivelin e dënimit maksimal me 25 vite burgim.
Një tjetër fushë me boshllëqe serioze është identifikimi dhe rikuperimi i personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Edhe pse Shqipëria ka ratifikuar konventa ndërkombëtare dhe ka marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kuadri ligjor nuk përcakton qartë rolin e AIDSSH-së. Autoriteti ka kompetenca për mbledhjen e informacionit dhe verifikime administrative, por nuk ka mandat për të udhëhequr procesin apo për të koordinuar ndërhyrjet në terren. Mungesa e një akti nënligjor që të përcaktojë procedurat dhe ndarjen e përgjegjësive ka bllokuar kalimin nga verifikimi në veprime konkrete për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave.
Edhe brenda vetë institucionit janë evidentuar problematika strukturore. Ndryshimet në ligjin nr. 34/2023 për pagat kanë krijuar një disbalancë, duke bërë që në disa raste pagat e drejtuesve të mesëm të jenë më të larta se ato të anëtarëve të Autoritetit. Ulja e referencës së pagës së anëtarëve nga 55% në 45% të pagës së Presidentit ka krijuar një sistem regresiv, që sipas AIDSSH kërkon korrigjim për të shmangur demotivimin.
Raporti ngre shqetësime edhe për zbatimin e verifikimit të pastërtisë së figurës në politikë. Gjatë zgjedhjeve, nga 53 subjekte politike të kontaktuara, vetëm 6 kandidatë kanë kërkuar verifikim me iniciativë personale. Mungesa e bashkëpunimit nga partitë politike e bën praktikisht të pazbatueshëm nenin 30 të ligjit nr. 45/2015, duke nxjerrë në pah nevojën për ndryshime në ligjin për dekriminalizimin, ligjin për partitë politike dhe Kodin Zgjedhor.
Në planin e bashkëpunimit institucional, raporti evidenton një përmirësim të pjesshëm me pushtetin vendor, ku 22 nga 61 bashki kanë bashkëpunuar për verifikimin e figurave në dhënien e titujve apo emërtimin e hapësirave publike. Megjithatë, bashkëpunimi me subjektet politike mbetet minimal dhe problematik.
Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 janë përfunduar në total 852 kërkesa, ku pjesën më të madhe e zënë kërkesat individuale me 336 raste, të ndjekura nga kërkesat për internim/debim me 179, studimore me 140, institucionale me 99, për persona të zhdukur me 71 dhe për zbardhje bashkëpunëtorësh me 27 kërkesa. Megjithatë, një pjesë e kërkesave nuk janë përfunduar brenda afateve për shkak të varësisë nga procesi i deklasifikimit, i cili gjatë vitit 2025 ka shfaqur rënie krahasuar me një vit më parë./ekofin.al
