Banorët austriakë që refuzojnë të marrin vaksinën e tyre kundër COVID-19 nga shkurti, kur do të jenë të detyrueshme, do të përballen me gjoba deri në 7,200 euro, zbulon një draft i ligjit të Austrisë për vaksinimin kundër COVID-19.
Vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet për të gjithë ata që kanë vendbanim të përhershëm në Austri. Sipas projekt rregullores përjashtohen nga detyrimi fëmijët nën 14 vjeç, gratë shtatzëna, ata që janë shëruar për më pak se 180 ditë dhe personat e tjerë që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore. Gratë që kanë lindur dhe djemtë që mbushin 14 vjeç kanë një muaj kohë për të marrë dozën e parë.
Të gjithë ata që refuzojnë të respektojnë do të thirren në autoritetet e administratës së qarkut. Nëse e shpërfillin thirrjen dy herë, do të gjobiten me 3600 euro. Nëse shkelja e tyre e ligjit të vaksinimit kundër COVID i vë personat e tjerë në “rrezik serioz”, ose nëse vazhdojnë të injorojnë urdhrin, ata do të gjobiten deri në 7200 euro.
Megjithatë, disa elemente mbeten të paqarta, veçanërisht nëse dikush vazhdon të refuzojë të vaksinohet edhe pas marrjes së gjobave.
Situata në Austri është bërë gjithnjë e më e rëndë javët e fundit, me njësitë e kujdesit intensiv afër kapacitetit të plotë. Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), 65.2% e popullsisë totale të Austrisë është vaksinuar.
Njoftimi për t’i bërë të detyrueshme vaksinimet ka intensifikuar ndarjet në shoqërinë austriake, me presidentin Alexander van der Bellen që paralajmëron se “ekziston një rrezik i madh që përçarjet të thellohen”.