Raportet e auditimit nuk duhet të mbeten thjesht dokumente teknike të publikuara nga institucionet, por të shndërrohen në një instrument për llogaridhënien publike. Roli i medias në këtë proces, ndjekja e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe mënyra se si gjetjet e auditimeve mund të bëhen më të kuptueshme për qytetarët ishin në qendër të tryezës së organizuar nga Faktoje, ku u prezantua dokumenti i politikave “Nga gjetjet e auditimeve tek llogaridhënia publike përmes rolit të medias në Shqipëri”. Dokumenti është përgatitur në kuadër të nismës “E vërteta përtej numrave”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.
Drejtoresha ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo, theksoi se publikimi i auditimit duhet të jetë vetëm fillimi i procesit dhe jo fundi i tij. Sipas saj, transparenca kërkon që problematikat e konstatuara të ndiqen edhe më tej dhe që publiku të informohet se çfarë ndodh me to. Ajo nënvizoi rolin e medias për ta nxjerrë informacionin nga dokumentet teknike dhe për ta kthyer në informacion të kuptueshëm për qytetarët.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, vuri theksin te nevoja që gjetjet e auditimit të përkthehen në përgjegjshmëri konkrete. Sipas saj, shifrat nuk “flasin vetë”: ato duhet të lexohen, shpjegohen dhe të shoqërohen me pyetje mbi problematikat që nxjerrin në pah.
Një pjesë e rëndësishme e tryezës iu kushtua studimit të prezantuar nga eksperti i projektit “Truth Beyond Numbers”, Ilir Ciko. Analiza arrin në përfundimin se problemi kryesor nuk qëndron te cilësia teknike e auditimeve të KLSH-së, por te ajo që ndodh më pas: komunikimi, ndjekja dhe zbatimi i rekomandimeve. Raportet përmbajnë gjetje specifike, të matshme dhe të dokumentuara, por shpesh janë të vështira për t’u përpunuar nga redaksitë dhe për t’u kuptuar nga publiku.
Studimi evidenton veçanërisht një dobësi të raportimit mediatik: auditimet marrin vëmendje kryesisht në momentin kur publikohen, ndërsa media kthehet shumë më rrallë muaj më vonë për të verifikuar nëse rekomandimet janë zbatuar, nëse është mbajtur përgjegjësi apo nëse është rikuperuar dëmi. Pikërisht kjo fazë konsiderohet nga dokumenti si një nga hallkat më të dobëta të procesit.
Dokumenti propozon disa ndryshime konkrete për ta bërë sistemin më funksional. Për KLSH-në rekomandohet që çdo auditim të shoqërohet me një faqe të standardizuar përmbledhëse, ku të tregohet çfarë u konstatua, sa është kostoja për taksapaguesit, çfarë rekomandohet dhe brenda cilit afat. Gjithashtu propozohet hierarkizimi i gjetjeve sipas dëmit ekonomik, rrezikut sistemik apo parregullsive formale, publikimi i të dhënave në formate të kërkueshme dhe krijimi i një regjistri publik ku të shihet nëse çdo rekomandim është zbatuar, zbatuar pjesërisht apo ka mbetur i pazbatuar.
Për median, rekomandimi kryesor është kalimi nga “raportimi i ngjarjes” te “raportimi i procesit”. Çdo lajm mbi një gjetje auditimi duhet të krijojë edhe një detyrim redaksional për t’iu rikthyer çështjes pas përfundimit të afatit të rekomandimit. Dokumenti kërkon gjithashtu më shumë specializim në financat publike dhe prokurimet, kontekstualizimin e shifrave dhe verifikimin e çdo të dhëne apo reference ligjore në dokumentin origjinal.
Në diskutim, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, theksoi se auditimi nuk duhet parë vetëm si një mekanizëm për evidentimin e shkeljeve, por edhe si instrument për përmirësimin e administratës dhe identifikimin e dobësive institucionale.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi që raportet e auditimit të bëhen më të aksesueshme për publikun dhe ligjvënësit. Duke iu referuar edhe auditimeve mbi PPP-të dhe inceneratorët, ajo argumentoi se procesi duhet të vazhdojë përtej konstatimit, deri te përcaktimi i përgjegjësive dhe masave konkrete.
Deputeti socialist Adi Qose u fokusua te roli i Kuvendit, duke propozuar një mekanizëm më të strukturuar për ndjekjen e rekomandimeve, veçanërisht atyre me pasoja financiare.
Përfaqësuesja e KLSH-së, Xhuljeta Çelaj, theksoi nevojën për një komunikim më të mirë me median dhe për përkthimin e raporteve teknike në forma më të kuptueshme, pa cenuar saktësinë profesionale. Sipas saj, zbatimi i rekomandimeve kërkon kohë dhe duhet të vlerësohet periodikisht.
Më tej, përfaqësues të medias ndanë disa nga përvojat dhe sfidat me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre për aksesimin e informacionit dhe përpunimin e tij. /ekofin.al






