Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), gjatë raportimit sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, bëri të ditur se është duke shqyrtuar mundësinë e rritjes graduale të nivelit të mbulimit të depozitave të siguruara në banka dhe shoqëri kursim-krediti deri në vitin 2030, në përputhje me standardet evropiane.
Në diskutimet me deputetët, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ASD-së, Martin Blushi, nënvizoi se aktualisht skema e sigurimit mbulon depozitat deri në 2,5 milionë lekë, çka përfshin rreth 95% të depozituesve në sistemin financiar.
Blushi bëri të ditur se ASD është në proces të vlerësimit të disa skenarëve të mundshëm, me asistencën e Bankës Botërore, që variojnë nga një kufi prej 2,5 milionë lekësh deri në afërsisht 10 milionë lekë deri në vitin 2030, duke synuar një afrim të plotë me praktikat më të mira të Bashkimit Europian.
Drafti përkatës, tha ai, pritet të paraqitet brenda fundit të vitit 2026. “Objektivi afatmesëm është rritja e këtij niveli në mënyrë të kujdesshme dhe të qëndrueshme. Sipas projeksioneve, kufiri i mbulimit parashikohet të rritet gradualisht në 6 milionë lekë në vitin 2027, për të arritur në 10 milionë lekë në vitin 2030”, tha Blushi.
Nëse kufiri i mbulimit do të rritej në 6 milionë lekë, theksoi ai, përqindja e depozituesve të mbuluar do të arrinte në 98%, një nivel që konsiderohet optimal për të garantuar sigurinë financiare të individëve dhe besimin në sistem.
Gjatë vitit 2024, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka vijuar me garantimin e depozitave të vendosura nga qytetarët dhe bizneset në 11 banka dhe 9 shoqëri kursim-krediti (SHKK), pa pasur ndryshime në numrin e subjekteve anëtare të skemës.

