Zjarret që përfshinë zona të ndryshme të vendit gjatë muajve të verës, duke shkaktuar dëme në banesa, biznese, toka dhe prona të tjera, nuk duket se kanë shërbyer si një shtysë për rritjen e sigurimit të pronës. Përkundrazi, të dhënat për tetë muajt e parë të vitit tregojnë një tkurrje të fortë të primeve të shkruara bruto në kategorinë “Zjarr, Forcat e Natyrës dhe dëmtime të tjera në pronë”.
Sipas të dhënave të tregut të sigurimeve, gjatë periudhës janar-gusht 2026, primet e shkruara bruto në këtë kategori arritën në rreth 1.74 miliardë lekë, nga rreth 2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në harkun e një viti, tregu ka humbur kështu rreth 267 milionë lekë prime, ose 13.32%. Ecuria sugjeron se, pavarësisht ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj zjarreve dhe ngjarjeve të tjera natyrore gjatë verës, sigurimi vullnetar i pronës vazhdon të mos marrë një shtysë të dukshme nga familjet dhe bizneset.
Pamja bëhet edhe më domethënëse kur të ardhurat nga primet krahasohen me dëmet që kompanitë e sigurimit kanë paguar.
Në janar-gusht 2026, dëmet e paguara bruto për sigurimin nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtime të tjera në pronë arritën në 468.7 milionë lekë, kundrejt 304.8 milionë lekëve në tetëmujorin e vitit të kaluar. Rritja është rreth 53.8% ose rreth 164 milionë lekë më shumë brenda një viti.
Të dhënat nxjerrin sërish në pah hendekun mes ekspozimit të pronave ndaj rreziqeve dhe përdorimit të sigurimeve për mbrojtjen financiare prej tyre. Zjarret e verës, pavarësisht dëmeve të shkaktuara dhe vëmendjes së madhe publike, të paktën deri në fund të gushtit nuk janë reflektuar në një rritje të përgjithshme të primeve të sigurimit të pronës. /ekofin.al
