Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur një projekt për ndërtimin e një autostrade që do të lidhë Elbasanin me Rrogozhinën. Me një buxhet total prej 15 miliardë lekësh, ky aks i ri rrugor do të jetë pjesë e Korridorit 8 dhe pritet të sjellë përfitime të shumta për transportin dhe ekonominë e vendit.
Projekti, i cili shtrihet në një gjatësi prej 40.7 km, do të fillojë në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe do të vazhdojë deri në Lekaj, duke u lidhur me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. Kjo rrugë do të kalojë nëpër disa qytete, duke përfshirë Elbasanin, Peqin dhe Kavajën dhe do të lejojë një shpejtësi midis 90 dhe 140 km/orë. Me hapjen e 6 tenderëve, pritet që punimet të fillojnë së shpejti duke e bërë këtë projekt një nga prioritetet kryesore të infrastrukturës në vend.
Korridori 8 është i njohur si një arterie jetike që lidh portet detare dhe ajrore, rrugët dhe hekurudhat, duke përmirësuar lidhjet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Studimet tregojnë se ky projekt do të rrisë volumet e transportit në porte me më shumë se 40%, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit.
