Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka kërkuar autoriteteve dhe enteve kontraktore që të verifikojnë nëse një procedurë prokurimi është ankimuar, përpara se të vijojnë me publikimin e një sërë njoftimesh në Sistemin e Prokurimit Elektronik.
Njoftimi vjen pas problematikave të raportuara nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), duke sjellë në vëmendje detyrimin e personave përgjegjës për të kontrolluar paraprakisht bazën e të dhënave të publikuara nga KPP.
Sipas APP-së, kontrolli duhet të kryhet përpara ngarkimit në sistem të formularit të njoftimit të kontratës për procedurat e rishpallura, njoftimit të fituesit paraprak dhe përfundimtar, njoftimit të anulimit paraprak dhe përfundimtar, si dhe njoftimit të lidhjes së kontratës.
Për secilën prej këtyre fazave, personi përgjegjës pranë autoritetit kontraktor duhet të konfirmojë në bazën e të dhënave të KPP-së nëse operatorët ekonomikë kanë depozituar ankesa për procedurën konkrete të prokurimit.
Në rast se rezulton se ka një ankesë, autoriteti kontraktor nuk duhet ta anashkalojë atë për të vijuar normalisht procedurën. APP i referohet nenit 96, pika 1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 19 maj 2021, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, sipas të cilit personi përgjegjës duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndjekjen e procesit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Kërkesa synon të shmangë situatat kur në Sistemin e Prokurimit Elektronik hidhen njoftime për avancimin apo përfundimin e një procedure, ndërkohë që për të mund të jetë duke u zhvilluar një proces ankimi.
APP thekson se verifikimi duhet të bëhet përpara publikimit të njoftimeve në sistem, në mënyrë që autoritetet dhe entet kontraktore të respektojnë afatet dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni i prokurimit publik.
Ndërhyrja e APP-së vjen pikërisht pas evidentimit të problematikave nga KPP, institucioni që shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë lidhur me procedurat e prokurimit. Në këtë mënyrë, autoriteteve kontraktore u kërkohet që kontrolli për ekzistencën e një ankese të jetë pjesë e procesit përpara se një tender të kalojë në fazat e mëtejshme të tij. /ekofin.al

