Nga Mirilda Tili
Skema e mbështetjes kombëtare në bujqësi prej 52 milionë eurosh vjen me dyshimet dhe pasiguritë për realizim të plotë. “Heqja e mbështetjes për naftën ishte masa që krijoi më shumë paqartësi për fermerët këtë vit.” Kështu shprehet presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Agim Rrapaj, teksa analizon për ekofin.al risitë dhe problematikat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2026.
Sipas tij, ndryshimi më i madh krahasuar me vitin e kaluar është fakti që subvencionimi i naftës nuk do të jetë më një zë i veçantë mbështetjeje për fermerët. Një vendim që, sipas Rrapajt, u mor pa një periudhë paraprake njoftimi dhe pa i lënë kohë fermerëve të përshtasin kostot dhe planifikimet financiare.
“Fermerët nuk ishin të përgatitur për këtë masë që u mor nga qeveria pa paralajmërim. E mira do të ishte që me heqjen e naftës, fermerët të ishin njoftuar minimalisht një vit përpara, që të kishin mundësi të programonin bilancin dhe shpenzimet e tyre”, shprehet ai.
Rrapaj paralajmëron se kjo do të sjellë konfuzion si në aplikime, ashtu edhe në realizimin e proceseve të mekanizuara në bujqësi, në një moment kur çmimi i naftës mbetet në nivele të larta.
“Kjo është edhe ‘risia’ më e debatueshme e skemës. Heqja e mbështetjes për naftën vjen në një moment shumë të vështirë, kur çmimet e karburanteve janë në kuotat maksimale të parashikuara nga fermerët”, thotë kreu i KASH.
Sipas tij, ndikimi mund të jetë i ndjeshëm, pasi mbi 60 mijë fermerë kanë aplikuar në skemat e mëparshme dhe rreth gjysma e tyre kanë përfituar pikërisht nga subvencionimi i naftës.
Megjithatë, përtej debatit mbi naftën, skema e këtij viti sjell edhe disa elementë pozitivë që synojnë të zgjerojnë bazën e përfituesve dhe të orientojnë mbështetjen drejt sektorëve më problematikë të bujqësisë.
Ulja e pragjeve dhe zgjerimi i mbështetjes
Një nga ndryshimet kryesore është ulja e pragut për përfitimin në blegtori. Sipas Rrapajt, kjo pritet të rrisë numrin e fermerëve aplikues.
“U ul pragu i mbështetjes për blegtorinë e imët dhe lopën, u shtua mbështetja për derrat dhe njëkohësisht u rrit mbështetja për bletarinë. Të gjitha këto bëjnë që një numër më i madh fermerësh të përfshihen në skemë”, deklaron ai.
Skema parashikon mbështetje për gjedhin, delet dhe dhitë, fermat e derrave, si dhe bletarinë, ku financimi është rritur krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas ekspertëve të sektorit, kjo ndërhyrje synon të frenojë tkurrjen e blegtorisë, e cila prej disa vitesh po përballet me rritje kostosh dhe ulje të numrit të fermave aktive.
Mbështetje për tokën, por me sfida dokumentacioni
Një tjetër risi e skemës është subvencionimi i sipërfaqeve të mbjella me 10 mijë lekë për hektar. Kjo masë aplikohet për fermerët që kanë jo më pak se 3 hektarë tokë të kultivuar.
Rrapaj e konsideron këtë një zhvillim pozitiv, por paralajmëron se problematika e dokumentacionit të pronësisë mund të krijojë vështirësi në aplikim.
“Është hera e parë që aplikohet kjo masë dhe duhet një promovim specifik dhe intensiv që fermerët ta kuptojnë dhe të aplikojnë. Këtu mund të kemi konfuzion për shkak të dokumentacionit të tokës”, shprehet ai.
Investimet mbeten prioritet, por me kufizime
Në skemën 2026 parashikohen rreth 25 milionë euro mbështetje për investime në bujqësi. Fondet do të shpërndahen për mekanizimin, pajisjet bujqësore, fermat dhe investime të tjera në prodhim.
Megjithatë, sipas Rrapajt, kufizimi i mbështetjes për mekanizimin deri në 500 mijë lekë redukton mundësinë për financimin e traktorëve dhe mjeteve më të kushtueshme.
“Mbështetja për mekanizimin nuk e kalon 500 mijë lekë dhe kjo bën që fermerët, sidomos për traktorët, të kenë mbështetje më të kufizuar”, thotë ai.
Ndërkohë, skema vijon të financojë mjete të tjera të mekanizuara si freza, plugje, shkundëse ulliri, dhe rrjeta për sektorin e ullirit.
Vijon mbështetja për fermat organike dhe Global GAP
Skema ruan edhe këtë vit mbështetjen për fermat organike dhe certifikimin Global GAP, si një nga instrumentet kryesore për orientimin e prodhimit drejt standardeve europiane.
Po ashtu, subvencionohet përdorimi i insekteve për luftën biologjike në sera, një masë që synon uljen e pesticideve dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Megjithatë, Rrapaj thekson se problematikat klimatike po ndikojnë fort në sektorin e pemëtarisë dhe skema aktuale nuk jep zgjidhje të drejtpërdrejtë për dëmet e shkaktuara nga ngricat.
“Edhe gjatë muajit maj pati dëme të mëdha nga ngricat, sidomos në pemëtari. Molla ka qenë jashtëzakonisht keq dhe kjo skemë nuk sjell ndikim të drejtpërdrejtë për pemët frutore”, deklaron ai.
Sipas kreut të KASH, sfida tashmë mbetet informimi i fermerëve dhe orientimi i tyre për të përfituar fondet e vendosura në dispozicion.
“Ne si KASH do të punojmë që këto ndryshime dhe këto risi të bëhen sa më të qarta për fermerët, në mënyrë që fondi prej 52 milionë eurosh të mund të disbursohet realisht tek përfituesit”, përfundon Rrapaj./ekofin.al
