Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka shprehur shqetësimin për ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mbi fitimin, dividendin dhe konsumin mund të ndikojë negativisht në investimet private, konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Në një deklaratë publike, APL vlerëson se paketa nuk garanton koherencë të mjaftueshme ndërmjet objektivave fiskale të qeverisë dhe masave konkrete të propozuara. Sipas saj, ndryshimet kërkojnë një analizë më të thelluar të ndikimit ekonomik, përpara se të miratohen.
Referuar relacioneve shoqëruese të projektakteve, Paketa Fiskale 2027 pritet të gjenerojë rreth 14 miliardë lekë të ardhura neto shtesë në vit, ekuivalente me 0.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, sipas APL-së, nevoja për këto të ardhura duhet të argumentohet përballë ndikimit që mund të kenë masat mbi bizneset dhe konsumatorët.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
Sipas përllogaritjeve të Aleancës, këto ndryshime do ta çonin barrën e kombinuar tatimore mbi fitimin e shpërndarë nga rreth 21.8% aktualisht në 29.45%. Kjo do të thotë se, në rastin kur një kompani shpërndan të gjithë fitimin pas tatimit, pothuajse 30% e fitimit fillestar do të përfundonte në buxhetin e shtetit.
APL paralajmëron se një barrë e tillë mund të ndikojë në vendimmarrjen e sipërmarrjeve për investime të reja, zgjerimin e aktivitetit dhe përdorimin e kapitalit. Për këtë arsye, organizata kërkon që përpara miratimit të ndryshimeve të vlerësohet ndikimi mbi investimet private, kapitalin vendas dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë në raport me vendet e rajonit.
Një tjetër pikë kundërshtimi është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Sipas APL-së, kjo masë mund të përfshijë në skemën e TVSH-së një numër më të madh biznesesh të vogla, duke shtuar detyrimet për deklarim, kontabilitet dhe administrim fiskal.
Organizata argumenton se ulja e pragut, pa kapacitete të mjaftueshme administrative, rrezikon të rrisë kostot e përmbushjes së detyrimeve tatimore, pa garantuar domosdoshmërisht formalizim më të madh të ekonomisë.
Në deklaratë përmendet edhe qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili, sipas APL-së, ka sugjeruar një prag më të lartë, rreth 8 milionë lekë, si dhe trajtim të njëjtë për tatimpaguesit.
Ndryshimet në TVSH dhe ndikimi te çmimet
Aleanca ndalet edhe te ndryshimet e propozuara në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që përfshijnë rritjen e normës standarde nga 20% në 21%, rritjen e TVSH-së për akomodimin turistik nga 6% në 10%, si dhe uljen e saj për ushqimet bazë nga 20% në 6%.
Sipas organizatës, ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë mund të përbëjë një lehtësim për buxhetet familjare, por efekti real do të varet nga mënyra se si bizneset do ta reflektojnë këtë ulje në çmimet përfundimtare.
APL përllogarit se, nëse çmimi pa TVSH mbetet i pandryshuar, rritja e normës standarde nga 20% në 21% do të sillte një rritje prej rreth 0.83% të çmimit final të produkteve që i nënshtrohen kësaj norme.
Nga ana tjetër, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë në 6% mund të ulë çmimet përkatëse deri në 11.7%, nëse përfitimi transferohet plotësisht te konsumatori.
Për këtë arsye, Aleanca kërkon që ndryshimet të shoqërohen me një vlerësim të ndikimit në çmimet e konsumit dhe fuqinë blerëse.
APL ngre pikëpyetje edhe mbi eficiencën e shpenzimeve publike
Në reagimin e saj, Aleanca e Profesionistëve të Lirë argumenton se përpara vendosjes së barrëve të reja tatimore duhet të analizohet mënyra se si përdoren të ardhurat ekzistuese të buxhetit.
Sipas të dhënave që organizata citon, të ardhurat buxhetore të vitit 2026 rezultojnë rreth 20.1 miliardë lekë mbi planin fillestar.
Ndërkohë, në vitin 2025, investimet kapitale të parealizuara arritën rreth 25.5 miliardë lekë, me një nivel realizimi prej 84%.
APL i referohet gjithashtu të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave dëmi ekonomik dhe efekti financiar negativ i konstatuar vlerësohet në rreth 26.2 miliardë lekë.
Në këto kushte, organizata kërkon që qeveria të argumentojë më qartë nevojën për rritjen e të ardhurave përmes taksave, duke marrë në konsideratë edhe mundësitë për përmirësimin e administrimit dhe eficiencës së shpenzimeve publike.
Një tjetër shqetësim lidhet me kohën e kufizuar që bizneset mund të kenë në dispozicion për t’u përshtatur me ndryshimet fiskale. Sipas APL-së, afatet e shkurtra krijojnë pasiguri në planifikimin e investimeve, hartimin e kontratave, përcaktimin e çmimeve dhe menaxhimin e flukseve financiare. /ekofin.al
