Gjatë vitit 2025, sistemi i prokurimeve publike në Shqipëri prodhoi një volum të lartë ankesash, duke reflektuar si rritjen e konkurrencës, ashtu edhe problematika të vazhdueshme në procedurat tenderuese.
Sipas të dhënave zyrtare, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) janë regjistruar gjithsej 1197 ankesa, ku pothuajse e gjithë pesha 99.2% lidhet drejtpërdrejt me procedurat e prokurimit publik.
Nga këto, 853 ankesa lidhen me procedura unike, ndërsa pjesa më e madhe e tyre përqendrohet në fazën më kritike të procesit: vlerësimin e ofertave. Konkretisht, rreth 62.5% e ankesave janë paraqitur në këtë fazë, ndërsa 37% lidhen me dokumentet e tenderit. Kjo shpërndarje tregon qartë se sfidat kryesore mbeten tek interpretimi i kritereve dhe përzgjedhja e fituesve.
Në aspektin e llojit të kontratave, ankesat dominohen nga procedurat për mallra, që zënë 56.5% të totalit, të ndjekura nga shërbimet me 33.7% dhe punët publike me 9.8%. Kjo strukturë reflekton edhe peshën që kanë këto kategori në shpenzimet publike.
Nga 1152 ankesa të shqyrtuara gjatë vitit, Komisioni ka pranuar plotësisht rreth 52% të tyre, duke kërkuar në 291 raste ndërhyrje konkrete nga autoritetet kontraktore për korrigjimin e procedurave. Ndërkohë, 32.6% e ankesave janë rrëzuar, ndërsa pjesa tjetër është mbyllur, tërhequr ose nuk është marrë në shqyrtim.
Një nga treguesit më pozitivë lidhet me përmirësimin e efikasitetit të vendimmarrjes. Koha mesatare e shqyrtimit të një ankese ka rënë në 10 ditë në vitin 2025, nga 12 ditë që ishte një vit më parë. Po ashtu, përqindja e ankesave të trajtuara jashtë afatit është ulur në 8.9%, nga 9.26% në vitin 2024. Sipas kategorive, ankesat për shërbime shqyrtohen mesatarisht për 7 ditë, për punë publike në 10 ditë dhe për mallra në 12 ditë.
Në planin gjyqësor, nga 1007 vendime të marra, vetëm 73 janë ankimuar në gjykatë, ose rreth 7.2% e totalit, një rritje krahasuar me 4% në vitin 2024. Megjithatë, pjesa dërrmuese e këtyre vendimeve është konfirmuar nga Gjykata Administrative e Apelit, duke forcuar qëndrueshmërinë e praktikës së KPP-së dhe sigurinë juridike në sistem.
Raporti evidenton gjithashtu problematika konkrete në zbatimin e ligjit. Gjatë vitit 2025, janë identifikuar 11 raste me shkelje në procedurat e prokurimit, të referuara për hetim administrativ, ndërsa janë vendosur gjoba ndaj 3 titullarëve të autoriteteve kontraktore për mungesë bashkëpunimi. Po ashtu, 3 çështje janë referuar në organin e prokurorisë. /ekofin.al
