Transporti detar hyn në një regjim të ri monitorimi të emetimeve. Kompanitë detare do të duhet të matin dhe raportojnë shkarkimet e CO₂, metanit dhe protoksidit të azotit, ndërsa të dhënat do të verifikohen nga subjekte të akredituara. Projektvendimi, i hedhur për konsultim publik përafron rregullat shqiptare me legjislacionin europian dhe synon të krijojë një sistem të unifikuar për gjurmimin e ndikimit klimatik të transportit detar.
Shqipëria pritet të vendosë një sistem të ri për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e shkarkimeve të gazeve serrë nga transporti detar, duke e afruar këtë sektor me standardet e Bashkimit Europian.
Projektvendimi i propozuar nga ministrat përgjegjës për Infrastrukturën dhe Energjinë, Mjedisin dhe Ekonominë parashikon që kompanitë detare të mbajnë të dhëna të detajuara për konsumin e karburantit, udhëtimet dhe emetimet e anijeve, ndërsa raportet do t’i nënshtrohen verifikimit të pavarur.
Akti synon përafrimin e plotë me Rregulloren e BE-së 2015/757, në versionin e konsoliduar me ndryshimet e 1 janarit 2025.
Cilët operatorë preken nga rregullat e reja?
Fusha e zbatimit është relativisht e gjerë. Rregullorja mbulon anijet që kryejnë transport tregtar mallrash dhe pasagjerësh dhe që kryejnë udhëtime drejt, nga ose ndërmjet porteve shqiptare.
Sipas tekstit të projektvendimit, rregullat zbatohen për anijet me tonazh bruto 5,000 GT e lart, ndërsa për disa kategori të transportit tregtar dhe anijet offshore shtrihen edhe te anijet nga 400 GT deri nën 5,000 GT.
Nga regjimi përjashtohen, ndër të tjera, anijet luftarake, anijet ndihmëse detare, anijet e peshkimit apo përpunimit të peshkut, anijet prej druri të ndërtimit primitiv, si dhe anijet qeveritare të përdorura për qëllime jotregtare.
Në qendër të monitorimit do të jenë tre gaze: dioksidi i karbonit (CO₂), metani (CH₄) dhe protoksidi i azotit (N₂O).
Nuk do të mjaftojë vetëm deklarimi i kompanisë
Ndryshimi kryesor që sjell projektvendimi është krijimi i një zinxhiri të plotë monitorimi–raportimi–verifikimi.
Kompanitë duhet të monitorojnë emetimet për secilën anije, duke përfshirë shkarkimet që krijohen gjatë lundrimit dhe gjatë qëndrimit në ankorim. Të dhënat duhet të jenë të plota, konsistente, të krahasueshme dhe të dokumentuara në mënyrë që të mund të kontrollohen nga verifikuesi.
Për çdo anije do të kërkohet një plan monitorimi, ku përcaktohen mënyra e llogaritjes së emetimeve, burimet e shkarkimeve, llojet e karburanteve, pajisjet matëse, procedurat për matjen e konsumit dhe mënyra e administrimit të të dhënave. Plani duhet të verifikohet nga një verifikues i akredituar dhe të miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Në praktikë, kjo do të thotë se operatorët detarë duhet të ndërtojnë një sistem të dokumentuar për të ditur jo vetëm sa karburant konsumon një anije, por edhe sa emetime gjenerohen nga ky konsum.
Çfarë do të matet?
Raportimi do të shkojë përtej një shifre të vetme të emetimeve.
Për çdo udhëtim do të regjistrohen porti i nisjes dhe mbërritjes, koha e udhëtimit, sasia dhe faktori i shkarkimeve për çdo lloj karburanti, gazrat serrë të emetuara, distanca e përshkuar, koha në det, ngarkesa e transportuar dhe aktiviteti i transportit.
Në bazë vjetore do të mblidhen edhe të dhëna për emetimet totale, konsumin e karburantit, distancën e përshkuar, kohën në det, aktivitetin e transportit dhe efikasitetin mesatar të energjisë së anijes.
Për llogaritjen e emetimeve, projektvendimi përcakton metodologji që lidh konsumin e karburantit me faktorët përkatës të shkarkimit dhe i shpreh emetimet në ton ekuivalent CO₂, duke marrë në konsideratë edhe potencialin e ngrohjes globale të metanit dhe protoksidit të azotit.
Raporti do të dorëzohet çdo vit
Kompanitë do të kenë një detyrim të përcaktuar qartë për raportimin.
Deri më 31 mars të çdo viti, ato duhet t’i dorëzojnë Drejtorisë së Përgjithshme Detare raportin e emetimeve për vitin paraardhës, pasi ky raport të jetë verifikuar nga një verifikues.
Raportet do të dorëzohen përmes sistemeve të automatizuara dhe formateve elektronike të shkëmbimit të të dhënave.
Kjo i jep procesit një dimension tjetër: të dhënat për emetimet nuk do të mbeten thjesht në dokumentacionin e kompanive, por do të futen në një mekanizëm të standardizuar raportimi dhe kontrolli.
Kush do ta kontrollojë?
Drejtoria e Përgjithshme Detare do të ketë rolin kryesor në zbatimin e sistemit, duke miratuar planet e monitorimit të kompanive. Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të ketë përgjegjësi për raportimin mbi zbatimin e kërkesave të sistemit, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit do të akreditojë verifikuesit që do të kontrollojnë planet dhe raportet e emetimeve.
Verifikuesi duhet të jetë i pavarur nga kompania dhe të vlerësojë nëse plani i monitorimit dhe raporti i emetimeve përputhen me kërkesat e rregullores. Në rast se konstatohen pasaktësi ose mospërputhje, kompania duhet t’i korrigjojë ato përpara përfundimit të procesit të verifikimit.
Buxheti i shtetit nuk parashikohet të ketë kosto shtesë
Një nga elementet me interes për zbatimin e projektvendimit është ndikimi financiar.
Relacioni shpjegues vlerëson se projektvendimi nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit, pasi Drejtoria e Përgjithshme Detare disponon kapacitetet institucionale dhe burimet njerëzore të nevojshme për zbatimin e tij.
Kostoja kryesore pritet të bjerë mbi sektorin privat
Kompanitë detare do të kenë shpenzime për hartimin e planeve të monitorimit dhe raporteve, për verifikimin e tyre dhe për ndërveprimin me institucionet përgjegjëse. Relacioni vlerëson se mund të lindë nevoja për të paktën një punonjës teknik shtesë, me një kosto të përafërt prej 1.3–1.5 milionë lekësh në vit. Megjithatë, dokumenti thekson se kjo nuk do të jetë e domosdoshme për çdo operator, pasi disa kompani disponojnë tashmë staf teknik ose ekspertë mjedisorë me kapacitete të përshtatshme.
Nga detyrim mjedisor në përgatitje për tregun europian
Projektvendimi nuk e kufizon objektivin vetëm te mbledhja e të dhënave.
Sipas relacionit shpjegues, krijimi i sistemit MRV synon të rrisë transparencën e të dhënave, të forcojë besueshmërinë e statistikave kombëtare për sektorin detar dhe të krijojë bazën për politika të ardhshme për reduktimin e emetimeve. Për administratën, kjo do të thotë një panoramë më e qartë mbi performancën mjedisore të flotës; për kompanitë, një standard më i unifikuar për matjen dhe raportimin.
Në dokument parashikohet gjithashtu publikimi i një raporti vjetor për emetimet e gazeve serrë dhe informacione të tjera përkatëse nga transporti detar, me të dhëna që mundësojnë vlerësimin e emetimeve dhe efikasitetit energjetik sipas madhësisë dhe llojit të anijeve apo aktivitetit.
Në këtë mënyrë, transporti detar shqiptar hyn gradualisht në të njëjtën logjikë rregullatore që po shtrihet në Europë: ajo që nuk matet, nuk mund të menaxhohet dhe ajo që matet e verifikohet, mund të kthehet në bazë për politika konkrete të uljes së emetimeve.
Për kompanitë detare kjo nënkupton një kosto të re administrative dhe teknike./ekofin.al
